E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet shtëpia e kreut të spitalit

 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Shkrumbohet shtëpia e kandidatit për deputet të Partisë Republikane të Lushnjës, Edison Lipe. Rrethanat e këtij zjarri mbeten ende të mistershme për policinë, por nuk përjashtohet pista se gjithçka mund të jetë e qëllimshme. Mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së dielës në lagjen “Skënder Libohova” kur në banesën e Lipes nuk ndodhej njeri. Të parët që kanë pikasur flakët kanë qenë fqinjët e të dëmtuarit, të cilët sinjalizuan policinë e zjarrfikëset. Më pas u njoftua edhe i zoti i shtëpisë, Edison Lipe, i cili momentalisht është drejtor i spitalit të Lushnjës. Zjarrfikëset mbërritën në vend, por lokalizimi i flakëve ishte tepër i vështirë për shkak të avancimit të tyre. Për pasojë, gjithçka është djegur brenda një harku të shkurtër kohor. Sipas një vlerësimi paraprak, mendohet që dëmi shkon në vlerën e rreth 60 mijë eurove. Burime të policisë bënë të ditur se një ambient i konsiderueshëm i banesës së Lipes, i cili me profesion ishte kardiolog, përdorej për vizita mjekësore në mënyrë private. Ky është një nga dyshimet kryesore të grupit të hetimit për shkaktarin e zjarrit, pasi një pjesë e mirë e pajisjeve të laboratorit dhe ato ekzaminuese, që ndodheshin në këtë klinikë kërkonin instalime të reja elektrike për shkak të ngarkesës së rrjetit. Gjithsesi, burimet policore u shprehën se është ende herët për të dalë në një konkluzion për motivin e kësaj ngjarjeje. “Nuk është përjashtuar deri tani asnjë pistë e mundshme rreth shkaqeve të zjarrit, i cili shkrumboi gjithë banesën. Por ende nuk kemi dalë në një pistë të vetme hetimi”, u shprehën burime të grupit të hetimit. Në sajë të hetimeve paraprake, nuk është përjashtuar as pista e zjarrvënies së qëllimshme. Kjo pistë lidhet me detyrën e Lipes, por edhe kandidimin e tij për zgjedhjet e 28 qershorit për Partinë Republikane. “Shkak i zjarrit mund të ketë qenë një qark i shkurtër elektrik në pajisjet e klinikës private të mjekut. Por është ende herët për të folur, pasi mund të kemi edhe zjarrvënie të qëllimshme”, u shpreh policia. Ndërkohë, cilido të jetë shkaku i këtij zjarri që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima apo të lënduar në njerëz, familja Lipe ka mbetur në qiell të hapur dhe me një bilanc ekonomik të rënduar. Flakët kanë shkrumbuar gjithçka që ndodhej brenda ambienteve. Sipas burimeve, në banesë ka pasur edhe një shumë parash, sasia e të cilave nuk u bë e ditur. “U trembëm shumë pasi ndryshe nga sa ndodh në raste zjarresh, këtë radhë flakët dolën me furi nga çatia e shtëpisë. U krijua përshtypja sikur pati shpërthim, por pa zhurmë. Menjëherë lajmëruam policinë pasi ne nuk mund të ndërhynim për shuarjen e flakëve për shkak të terrenit të vështirë. Filluam të lagnim vendin me qëllim që të mos përhapeshin flakët, pasi po rrezikoheshin shtëpitë e tjera”, u shpreh Spiro Dine, njëri nga fqinjët e kandidatit për deputet.

Pistat

 Ngjarja aksidentale për shkak të një qarku elektrik në pajisjet e klinikës private brenda banesës  Ngjarja e qëllimshme për shkak të detyrës në spital apo kandidimit të tij si deputet i PR-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›