E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i ri, 70 të sëmurë mendorë në Durrës

 

TIRANE - Fillon sot funksionimin burgu i Durrësit. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë njoftuan dje për ceremoninë e inaugurimit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale më të ri në vend, atë të Durrësit. Bëhet e ditur se ky institucion ka ambiente të burgimit dhe të paraburgimit. Dhomat e burgimit në këtë institucion do të popullohen nga të dënuarit me probleme mendore, që aktualisht qëndrojnë në burgun e Krujës si dhe në qendrën spitalore të burgjeve në Tiranë. Mësohet se numri i personave me probleme mendore që vuajnë dënim me burg është rreth 70 vetë. Sipas burimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në ditët në vijim do të procedohet me transferimin e të dënuarve nga Kruja për në Durrës. “Në ceremoninë e inaugurimit ditën e sotme do të jenë të pranishëm ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra si dhe të ftuar të tjerë”, thanë burimet. Institucioni i ri ndodhet tek ish-këneta në Durrës, ish-spitali italian. Në muajin shkurt të këtij viti, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, rekomandoi marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen përfundimtare të trajtimit ligjor të të sëmurëve mendorë.          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›