Kujtim Prodani: Pengu im, që nuk u bëra koleg me tim atë
ALMA MILE
Qershori është një muaj i trishtë për të. Bëhet më nostalgjik. Kujtimet i vërtiten në mendje. Lidhen me të atin, që u nda nga jeta plot 20 vjet më parë. Kjo është edhe arsyeja pse ka zgjedhur pikërisht këtë ditë për të promovuar albumin e tij të dytë. Sot në orën 19.00, mes miqsh, kantautori Kujtim Prodani prezanton albumin e tij të ri “Me sytë nga dera”. Në një intervistë artisti tregon për albumin, por edhe për marrëdhëniet e tij me prindërit, Anita Taken dhe Agim Prodanin.
E promovoni albumin në një ditë të rëndësishme për ju, rastësi, apo..?
Është edhe nuk është rastësi. Mund ta kisha promovuar një ditë, apo një javë më parë. Çdo fillim qershori bëhem nostalgjik, pasi është përvjetori i vdekjes së babait. Kush e mendonte se pas 20 vitesh nga largimi i tij, do të promovoja një album si kantautor. Dhe vendosa ta promovoj pikërisht në këtë ditë.
Ç’përmban albumi juaj i ri?
Janë 10 këngë dashurie. Duam, apo nuk duam, gishtat shkojmë sërish aty. Çuditërisht kompozoj kur jam jashtë Shqipërisë. Kam më shumë qetësi, rrethohem nga miq të huaj, që tregojnë interes për këngët e mija, edhe pse nuk kuptojnë asgjë nga ato që u këndoj. Por këtu punoj fort në studio. Ka shumë lodhje, por momenti që i dhuron diçka publikut është kënaqësi e veçantë.
Sa histori personale ka në këngët tuaja?
Nuk ka këngë të kompozuar, apo kënduar nga unë, që të mos ketë të paktën një varg, ose një refren, ku të mos jetë një pjesë e jetës sime. Kur lexoj një poezi, nuk ka rëndësi e kujt është, dhe gjej veten time, ajo kthehet menjëherë në këngë. Është mirë që këngët të kenë një fabul, një ide që të prekë njerëzit. Kështu ajo hyn në kujtesën e lexuesit dhe jeton më gjatë.
Albumi i parë titullohej “I’m from Tirana”, po i dyti?
Titullohet “Me sytë nga dera”, që është edhe titulli i njërës prej këngëve të albumit. Do të realizojmë edhe një videoklip me skenar dhe regji të Gjergj Xhuvanit. Jam pak vonë, por mendohet që pas 2 javësh do të dalë. Të gjithë kemi njerëz të dashur. Dikush ka pasur, dikush do ketë në të ardhmen dhe në momente të caktuara të ditës, të kujtohet dikush dhe automatikisht i kthen sytë nga dera, me shpresën se ai do të vijë dikur. Apo hedh sytë në celular... Dera mund të mos hapet kurrë, celulari mund të mos bjerë kurrë.
Keni edhe ndonjë duet me nënën tuaj?
Në këtë album jo. Mendova të kishim një duet, por mu duk e ekzagjeruar. Kam një duet me Evis Mulën dhe me Joe Artid Fejzon. Por ka edhe një këngë të kënduar në frëngjisht. Është shkruar në vitin 1991, kur sapo isha larguar nga Shqipëria. I rezistoi kohës. Më pëlqeu dhe mu duk me interes që ta risillja në kohë, të konceptuar ndryshe. Ajo është ndër këngët e para që unë shkrova kur u largova nga Shqipëria, madje atëherë nxora edhe një album me këngë gjermane e franceze, por që për publikun shqiptar nuk është i njohur.
Thatë që shkruani kur jeni larg, po këtu?
Gjatë kohës që kam qëndruar këtu jam marrë me menaxhimin e një piano-bari dhe kjo më ka ngarkuar shumë, pastaj koncerte, aktivitete të ndryshme... E vërteta është që sa kaloj kufirin ulem e shkruaj, ndërsa kur jam këtu, sikur më “vdes” frymëzimi. Ndoshta është jeta e tillë, telefoni që bie pa pushim, miqtë... Krijimi kërkon qetësi dhe unë nuk e kam këtu. Por ndoshta koha e qëndrimit këtu më shërben për të akumuluar. Kur shkoj në Austri, kam se ç’tregoj, kur vij që andej, nuk kam se çfarë. Jeta është thuajse e njëjtë. Unë qëndrova 15 vjet atje dhe kuptova që s’kisha ç’merrja e ç’jepja më në atë vend, kështu që më pëlqen shprehja: Mbeta në Shqipëri. Me dashje..
Sa ka ndikuar në krijimtarinë tuaj, qëndrimi në Austri?
Kam dëgjuar shumë këngë gjermane, por edhe franceze, qysh fëmijë. Më kanë bërë shumë përshtypje kantautorët gjermanë, se si e ndërtonin këngën. Teksti, fjala kishte një rëndësi të madhe dhe pastaj vinte muzika, e cila jo detyrimisht ishte aq e bukur sa fabula që trajtonte kënga. Kështu që unë i vë shumë rëndësi tekstit. Dikush thotë se këngët e mija kanë nuanca austriake. Unë nuk i vë re, ndoshta hyjnë pa dashje, por përderisa unë këndoj shqip dhe këngët e mija këndohen edhe nga fëmijë të vegjël, kjo do të thotë që unë bëj këngë shqiptare. Përpara viteve ’90 ishte pak e ekzagjeruar shprehja “taban kombëtar”. E rëndësishme është që krijuesi të jetë në stilin e tij, të ketë një performancë të mirë në skenë dhe ç’është më e rëndësishmja dhe që është e vështirë, të përçojë emocion tek publiku.
Megjithatë edhe prindërit kanë pasur një ndikim shumë të madh, apo jo?
Ajo ka qenë një shkollë tjetër. Një diplomë e kam marrë në Akademinë e Arteve në ’88-ën, një tjetër në shtëpi. Mua më ka lodhur ideja e të qënurit djali i Agim Prodanit dhe Anita Takes. Kur erdha në Shqipëri në vitin 2004, thashë mjaft, tani duhet të bindësh njerëzit që ti je Kujtimi dhe jo djali i Agimit. Kam përshtypje se kam bërë diçka, ndonëse rrugës njerëzit më thonë sërish çuni i Anitës. Por edhe kjo është kënaqësi. Nuk e kam pasur të lehtë të vij tek publiku, sepse kam edhe një përgjegjësi të madhe për mbiemrin që kam. Publiku kur dal në skenë, pret 3 herë më shumë, sepse nuk më sheh vetëm mua, por edhe Anitën e Agimin. Kështu, që kur vë lapsin në letër, mendohem 3 herë.
Ç’thotë znj. Anita për këngët tuaja?
Është shumë kritike. Ka jetuar 30 vjet pranë Agim Prodanit dhe nuk të fal. Megjithatë ndonjë lavdërim edhe ma jep, ndërsa Agimi, asnjëherë. Nuk kam marrë kurrë asnjë kompliment prej tij, më hiqte partiturat, më mbyllte pianon dhe më vinte t’i shkruaja edhe njëherë... Më vjen keq që nuk arritën të ishin kolegë. Kështu vjen jeta. Sot nuk ta shpjegoj dot emocionin që ndjej. Përpara 5 vjetësh, kur shkoja në Austri, tepër i dëshpëruar, nuk pashë art, kinema, teatër, asgjë.. ishte një humbëtirë. Nuk kisha shkuar tek im atë në varreza dhe i them taksistit të kthehemi, të vë një trëndafil e pastaj të shkojmë në aeroport. Gjeta varrin e tim eti, e pashë atë foton e ftohtë, bardhë e zi. U pamë në sy. Unë i ula sytë, ai jo. Kjo më shkaktoi një emocion të fortë. Kur u ula në piano, i vura gishtin kokës dhe pas dy vitesh, kur shkrova “I’m from Tirana” e më pas “Ju të dashurat e mija”, mendova që e kam vendin në Shqipëri. Kjo edhe falë respektit që publiku tregoi për mua. Ai më dha besim.
Albumi
“Albumi ka dhjetë këngë, dy prej të cilave njihen nga publiku, janë krijuar viteve të fundit. Nga fillimi deri në fund albumi është Kujtim. Kush e njeh sado pak muzikën time, do të më gjejë edhe në këtë përmbledhje këngësh. Është një bashkëpunim me poetë të ndryshëm si Arben Duka, Agim Doçi, Armand Trebicka, Maklena Çabej, Kujtim Boriçi. Jam munduar të kontaktoj me sa më shumë poetë, për të pasur sa më shumë fabula”.