Topi korrigjon dekretin e Moisiut
Korrigjohet dekreti presidencial për krijimin e Gjykatave të Shkallës së Parë. Dje, kreu i shtetit Bamir Topi ka dekretuar shtimin e një Gjykate tjetër Fakti, krahas atyre që funksiononin në vend. Behët fjalë për Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet, kompetencë tokësore e së cilës është rrethi i Përmetit e Bashkia Leskovik, ndërsa qendra e ushtrimit të veprimtarisë së saj është qyteti i Përmetit. Vetëm tre vjet më parë, me anë të një dekreti të ish-presidentit Alfred Moisiu u vendos që të shkriheshin 7 gjykata të rretheve të vegjël, mes tyre edhe Gjykata e Përmetit, duke bërë që puna e kësaj gjykate të transferohej në Gjykatën e Shkallës së Parë Gjirokastër. Dekreti i kreut të shtetit, i cili u shpall dje hyn në fuqi më datë 1 shtator të këtij viti, datë e cila përkon me përfundimin e lejeve vjetore të togave të zeza dhe rinisjen e punës në sistemin gjyqësor. Në qershor të vitit 2007, një muaj para mbarimit të mandatit, ish-presidenti i Republikës Alfred Moisiu dekretoi shkrirjen e shtatë gjykatave të vogla dhe grupimin e çështjeve nëpër gjykata të tjera, kryesisht ku ndodhen edhe distriktet e Apelit. Në dekretin e publikuar dje në ueb-siten zyrtare të institucionit të kreut të shtetit pohohet se: “Presidenti Topi dekreton caktimin e kompetencave tokësore të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë të secilës prej tyre”, veprim i propozuar nga Ministri i Drejtësisë dhe i bazuar në nenin 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 6, paragrafi 3 të ligjit numër 9877, datë 18 shkurt 2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Ndërkohë burime nga KLD-ja pohuan se mbledhjen e fundit, anëtarët e këtij institucioni i kishin kërkuar Presidentit Topi të dekretonte rikrijimin e Gjykatës së Përmetit, nisur për shkak të ngarkesës së çështjeve të këtij rrethi si dhe largësisë së banorëve të këtij rrethi nga Gjykata e Gjirokastrës. Sipas KLD-së, banorë të shumtë të komunave lindore dhe veriore të Përmetit e kanë pasur të pamundur ndjekjen e proceseve të tyre në Gjirokastër për shkak të largësisë. fa.ma.
Gjykatat e Faktit
Gjykata e Beratit mbulon rrethet Berat, Skrapar e Kuçovë.
Gjykata e Dibrës mbulon rrethet Bulqizë e Dibër.
Gjykata e Durrësit mbulon rrethin Durrës.
Gjykata e Elbasanit mbulon rrethet Elbasan, Gramsh, Librazhd e Peqin.
Gjykata e Fierit mbulon rrethet Fier e Mallakastër.
Gjykata e Gjirokastrës mbulon rrethet Gjirokastër e Tepelenë.
Gjykata e Kavajës mbulon rrethin Kavajë.
Gjykata e Korçës mbulon rrethet Devoll, Kolonjë e Korçë.
Gjykata e Krujës mbulon rrethin Krujë.
Gjykata e Kukësit mbulon rrethet Kukës e Has.
Gjykata e Kurbinit mbulon rrethin Laç.
Gjykata e Lezhës mbulon rrethet Lezhë e Mirditë.
Gjykata e Lushnjës mbulon rrethin Lushnje.
Gjykata e Matit mbulon rrethin Mat.
Gjykata e Përmetit mbulon rrethin Përmet e Bashkinë Leskovik.
Gjykata e Pogradecit mbulon rrethin Pogradec.
Gjykata e Pukës mbulon rrethin Pukë.
Gjykata e Sarandës mbulon rrethet Delvinë e Sarandë.
Gjykata e Shkodrës mbulon rrethet Malësi e Madhe dhe Shkodër.
Gjykata e Tiranës mbulon rrethin Tiranë.
Gjykata e Tropojës mbulon rrethin Tropojë.
Gjykata e Vlorë mbulon rrethin Vlorë.