E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy dite para mbylljes se afatit te licencimit te klubeve te futbollit ka prapambetje

Lajmet që vijnë nga Federata Shqiptare e Futbollit janë të mira. Shumica e klubeve janë licencuar për sezonin e ri futbollistik, ndërsa për disa që janë më prapa ose do të ketë respektim të afatit, ose do të kërkohet dhe fitohet një shtyrje. Burime brenda selisë së FSHF-së bëjnë me dije se problemi më i madh duket se është Tirana, pasi 24 herë kampionët ende nuk kanë përfunduar procedurat ligjore të licencimit.

Veçse, bardheblutë besohet se do të kërkojnë një shtyrje të afatit të licencimit me 10 ditë apo dy javë dhe burimet në Federatë sigurojnë se kërkesa e një klubi të tillë, kaq shumë të rëndësishëm në Shqipëri, nuk ka gjasa që të hidhet poshtë. Vetë shefi i zyrës së shtypit, Zalla, pohon në linjë telefonike se gjithçka është në dorë të Komitetit Ekzekutiv, i cili duhet të mblidhet dhe të marrë një vendim, pasi ky vendim nuk është në dorë të Komisionit të Licencimeve.

Më e lehtë gjendja e Flamurtarit, ndërsa nënkampionët e Shqipërisë kanë siguruar Federatën se do të respektojnë afatin e vendosur për licencim, pra 31 gushtin.

Veçse, jo kaq e thjeshtë gjendja e Dinamos, edhe pse blutë e kanë bërë licencimin e tyre. Ligjërisht, 17 herë kampionët janë në rregull, por mosmarrëveshjet e tyre me Agjencinë e Shërbimit të Sporteve mund të bëjnë që ata të mos bëjnë dot regjistrimin në kampionat. Pra, e thënë ndryshe, edhe pse e licencuar, Dinamo mund të mos marrë dot pjesë në sezonin e ri dhe rrezikon të zëvendësohet nga Besëlidhja e Lezhës. Gjithsesi, drejtuesit blu dhe Agjencia janë ende në bisedime, ndonëse akordi nuk është arritur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›