Dy djem kapen me drogë në makinë, arrestohen nga agjentët e Korçës
Korçë – Dy djem nga Korça u arrestuan dje në mëngjes, pasi dyshohen si trafikantë lëndësh narkotike. Dhimitër Piperi, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 10 të Korçës dhe Julian Mamishaj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 15 të qytetit juglindor, janë dy të rinjtë e arrestuar. Ata u kapën në Lagjen Nr. 8 të qytetit, në automjetin e markës “Mercedes-Bens”, me targë TR 6099 J, në pronësi të Dhimitër Piperit, ku u gjet një qese plastike me bimë narkotike të llojit Canabis sativa”. Pas sekuestrimit të mallit, policia tha se i akuzon dy djemtë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Një gazetar i “Bulevard”-it denoncon dhunën fizike për shkak të detyrës
Durrës – Një gazetar ka denoncuar dhunën fizike të ushtruar ndaj tij për shkak të detyrës, ndërsa policia deklaroi shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar. Denoncimi është bërë dje nga Adrian Llana, 41-vjeçar, lindur dhe banues në Durrës, në Lagjen Nr. 11, me arsim të lartë, me profesion gazetar. Llana ka bërë kallëzim penal për arsye se të martën, rreth orës 15:00, në ambientet e redaksisë së gazetës “Bulevard” ku punon, është goditur me grusht nga R. Kodra, banor i qytetit të Durrësit, për shkak të detyrës së tij si gazetar. Policia tha se ka shpallur në kërkim të dyshuarin Redi Kodra, të cilin e akuzon për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës” dhe “Fyerje për shkak të detyrës”.
26 Mars 2009