E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet buxheti, tabela në lekë për spitalet e vendit që janë pjesë e skemës

Për herë të parë hartohen kontratat me 39 spitalet publike. Hana: “Penalitete për pagesat informale që mund të bëjnë spitalet”

Emanuela Sako

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka bërë publik
ndarjen e buxhetit për të gjitha spitalet e vendit që do të bëhen pjesë e reformës. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ky institucion ka bërë shpërndarjen e buxhetit të parashikuar për këtë vit sipas nevojave të domosdoshme për çdo spital. Gjithçka është bërë e ditur gjatë një takimi të ISKSH-së mbështetur nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung”, me temë “Reformimi i shërbimit shëndetësor, statusi dhe kontratat me spitalet”. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, buxheti i 2009-s është më i madhi në këto vitet e fundit, duke u dhënë mundësi spitaleve që të dalin nga kolapsi financiar dhe të mbulojnë mungesat që kanë në medikamente apo materiale mjekësore. Nënshkrimi i kontratave pritet të bëhet këto ditë me 39 spitalet që tashmë janë përgatitur për t’u bërë pjesë e reformës. Ndërsa me fondet që u janë akorduar, drejtoritë përkatëse do të bëjnë vetëmenaxhimin dhe blerjen e medikamenteve, duke zbatuar rregullat e autonomisë së tyre. Ndërsa ISKSH-ja do të ketë rolin e kontrollorit në të gjithë aktivitetin e ushtruar prej tyre në mënyrë që të shmangen abuzimet.
Buxheti
Buxheti për shërbimin spitalor në total është 11.9 miliardë lekë për vitin 2009(pa Spitalin e Durrësit). Pritet që ISKSH-ja të nënshkruajë kontrata me 24 spitale të rretheve, 11 spitale rajonale, 3 spitale universitare dhe 1 terciar. Ndërkohë që ka përcaktuar fondet përkatëse për çdo spital, si: Spitali i Beratit 352,610 lekë, i Bulqizës 82,080 lekë, i Delvinës 23,650 lekë, i Dibrës 348,480 etj. Pjesë e spitaleve që është përfshirë në reformat e ISKSH-së është dhe QSUT-ja, Sanatoriumi, etj dhe si të tillë pritet të kenë autonominë dhe përfitimet e veta, duke rritur nivelin e përkujdesjes ndaj pacientëve. Drejtoresha e ISKSH-së theksoi se në këtë kontratë është parashikuar një pikë mjaft e rëndësishme që është penalizimi për pagesat informale. “Kjo është një pikë e rëndësishme e kontratës për të cilën kemi insistuar pasi më në fund adresohet përgjegjësi në rast të pagesave informale. Në kontratë është parashikuar masa me gjobë nga 2 paga mujore e deri në shkëputje kontrate individuale”, -theksoi Hana. Sipas saj, hap i rëndësishëm është edhe përdorimi i buxhetit të papërdorur në vitin pasardhës nga spitali, ku nuk do të ketë më djegie të fondeve.
Reforma
Reforma e zbatuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja synon autonominë e spitaleve dhe plotësimin e nevojave për pacientët. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor bën të ditur se autonomia e spitaleve është një domosdoshmëri për efikasitetin e skemës së sigurimeve shëndetësore, e cila pritet të përfshijë 42 spitale në vend. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin. Kështu, një pjesë e problemeve do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se reformat do të aplikohen gradualisht, sipas rëndësisë së problematikës. Sipas ISKSH-së, spitali ka një kontratë 1- vjeçare me këtë institucion dhe kontrata ripërsëritet në varësi të punës së kryer në spital dhe arritjes së reformave të vendosura. Spitali përfaqësohet nga drejtori, i cili kontrakton me çdo pjesëtar të stafit të institucionit. Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet disiplinë administrative, financiare dhe profesionale, për të siguruar eficiencën e shërbimeve shëndetësore.

Deri në fund të muajit mars 2009, ISKSH-ja do të kontraktojë 39 spitale
1 spital terciar
3 spitale universitarë
11 spitale rajonalë
24 spitale të rretheve

Buxheti për shërbimin me VKM
Berat 352,610 lekë
Bulqizë 82,080
Delvinë 23,650
Devoll 43,520
Dibër 348,480
Elbasan 497,350
Fier 369,500
Gramsh 134,050
Gjirokastër 236,050
Has 35,250
Kavajë 125,150
Kolonjë 116,890
Korçë 613,300
Krujë 135,500
Kuçovë 56,250
Kukës 237,950
Laç 82,950
Lezhë 228,620
Librazhd 163,500
Lushnjë 265,620
M. e Madhe 14,335
Mallakastër 31,270
Mat 167,215
Mirditë 146,645
Peqin 26,740
Përmet 93,110
Pogradec 204,110
Pukë 148,015
Sarandë 179,260
Skrapar 88,180
Shkodër 596,520
Tepelenë 88,350
QSUT 3,969,500
Mat.nr1 375,900
Mat.nr.2 281,500
Sanatoriumi 342,980
Tropojë 118,800
Vlorë 445,300

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›