E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja Godo, takim me përfaqësues të OBSH-së për reformat



Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim me drejtoreshën e Përgjithshme të OBSH-së, Margaret Chan, për zbatimin e reformave shëndetësore në vend. Ministrja Godo vlerësoi mbështetjen e dhënë nga OBSH-ja, duke nënvizuar hartimin e politikave moderne në shëndetësi, në përshtatje me strategjinë globale të zhvillimit të shëndetësisë në botë. Njëkohësisht, ajo kërkoi mbështetje më të madhe nga OBSH-ja për inplementimin e ligjit antiduhan, i cili nuk funksionon siç duhet. Aktualisht, brenda kuadrit të marrëveshjes 2-vjeçare të bashkëpunimit me OBSH-në po punohet intensivisht në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës, shëndetin mendor, sigurinë ushqimore, sistemin e informacionit shëndetësor, rishikimin institucional, burimet njerëzore për shëndetin, financimin shëndetësor. Ndërsa pritet të fillojnë edhe dy projekte të mëdha mbi ndikimin e klimës në shëndet dhe për ushqyerjen. Çdo dy vjet, Shqipëria nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me OBSH-në për asistencë teknike e financiare. Marrëveshja e dy viteve të fundit arrin në 1 milion e 750 mijë euro.

QSUT, zhvillohet transplantimi i parë i veshkave
Zhvillohet transplantimi i parë i veshkave në vend. Pritet që gjatë ditës së sotme mjekët e QSUT-së dhe ata italianë të kryejnë operacionin e parë. Pacientja do të jetë një 20-vjeçare, e cila është e para në radhë për ndërhyrjen kirurgjikale. Ndërkohë që janë 15 çifte të tjera, të cilëve u janë gjendur dhuruesit. Pas shumë shtyrjesh të afateve, më në fund stafi i mjekëve shqiptarë dhe atyre italianë ranë dakord për datën përfundimtare të hapjes së kësaj klinike dhe realizimin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Realizimi i transplantimit të veshkave në QSUT vjen si rrjedhojë e vënies në jetë të projektit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe palës italiane në kuadër të programit INTERREG III për Shqipërinë. Për realizimin e këtij projekti janë bërë përpjekje të vazhdueshme dhe një investim i madh për një periudhë kohore mbi 2-vjeçare gjatë së cilës u investua në krijimin e infrastrukturës së nevojshme sipas standardeve bashkëkohore, duke përfshirë rikonstruksionin e sallave të operacionit dhe reanimacionit, pajisjen me aparatura dhe mjete të sofistikuara, si dhe kualifikimin e personelit mjekësor.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›