Akademia e Arteve publikon kriteret e konkurseve të pranimit 2009-2010
Jonida Tashi
Akademia e Arteve në Tiranë publikon kriteret e konkurseve të pranimit për vitin e ri akademik 2009-2010. Gazeta boton sot të plota programet e konkursit të pranimit për të gjitha degët e tre fakulteteve të Akademisë, duke filluar nga ai i Muzikës, Artit Skenik e deri te Fakulteti i Arteve të Bukura. Në programet e përgatitura nga pedagogë të Akademisë së Arteve është përcaktuar jo vetëm çfarë duhet të mësojnë maturantët që do të konkurrojnë në Akademi, por edhe fazat e zhvillimit të konkursit, vlerësimi etj. Gjithashtu, kandidatët për studentë në Akademinë e Arteve, përveç provimit me shkrim si pjesë e konkursit, do të testohen edhe në praktikë për talentin që ata kanë. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve. Për këtë arsye, maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve. Ashtu siç është përcaktuar tashmë edhe nga Ministria e Arsimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Kështu, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2009-2010.
Pranimet e reja
Politekniku vendos mesataren mbi 6 si kriter pranimi
Universiteti Politeknik i Tiranës ka vendosur si kriter për pranimet e reja të studentëve mesataren mbi notën 6. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, i cili shprehet se për pranimet e reja të studentëve do të respektohet nota mesatare e kandidatëve. Kjo do të thotë se maturantët që mesataren e lëndëve të formimit bazë e kanë më pak se nota 6, nuk do të kenë të drejtë të ndjekin studimet në një nga degët e Universitetit Politeknik në Tiranë. Gjithashtu, drejtuesi i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, sqaron se këtë vit, në këtë universitet, do të pranohen vetëm studentët që kanë fituar pikët e mundshme për të ndjekur studimet e larta në një nga degët që ofron Universiteti Politeknik, por që kanë edhe mesataren e lëndëve të formimit bazë mbi 6. Shkak për vendosjen e mesatares mbi 6 si kriter pranimi, janë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri për degën ku do të studionin. Kjo edhe për faktin se në disa degë të fakulteteve të Universitetit Politeknik, ndjekin studimet studentë që nuk kanë mundur të fitojnë të drejtën për të studiuar në një degë tjetër. Deri tani nuk dihet ende nëse edhe universitete të tjera të vendit do të vendosin mesataren si kriter pranimi për të ndjekur studimet e larta.
26 Mars 2009