E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, komuna të izoluara në Veri, në Pogradec shemben 2 shtëpi

Bora ka izoluar disa komuna në veri të vendit. Mungon energjia në rrethinat e Tiranës

TIRANË – Bora që ka nisur të bjerë që dje në mëngjes ka krijuar sërish probleme në disa komuna në Veri, ndërsa rrëshqitja e tokës në fshatin Pevelen të Komunës së Trebinjës, rreth 20 kilometra larg Pogradecit, ka sjellë shembjen e dy shtëpive dhe rrezikimin e disa të tjerave. Disa akse rrugore janë vështirësisht të kalueshëm dhe moti i keq ka sjellë probleme në porte.
Rrëshqitja
Nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Janë shembur dy shtëpi nga rrëshqitja e dheut në Komunën e Trebinjës në Pogradec. Drejtues të komunës thanë për mediat se rrëshqitja e dherave, që kishte nisur përreth një muaj më parë si pasojë e ngrirjes dhe shkrirjes së vazhdueshme të borës, ka shkaktuar shembjen e dy banesave. Të njëjtat burime theksuan se në rrezik ndodhen edhe 6 banesa të tjera pasi toka vazhdon rrëshqitjen në këtë fshat. Drejtuesit kanë marrë masat e para, evakuimin e banorëve nga banesat, si dhe kanë njoftuar instancat përkatëse për situatën dhe janë në pritje të ndihmës nga pushteti vendor dhe qeveria. Familjet e dëmtuara janë strehuar, me fondet e komunës, në qytetin e Pogradecit dhe në fshatin Pevelen, në zonën që nuk paraqet rrezik. Sipas specialistëve, rrëshqitja është pasojë jo vetëm e terrenit të shkrifët, por edhe e sasisë së madhe të reshjeve të dëborës që kanë rënë ditët e fundit. Bora që arrin trashësinë mbi 60 cm rëndon situatën dhe ndihmon në rrëshqitjen e mëtejshme të tokës. Në Komunën e Trebinjës, sipas të dhënave nga Prefektura e Korçës, ka ende një trashësi dëbore prej 60-80 centimetrash që e rëndon situatën në zonën ku është shfaqur fenomeni gjeodinamik i rrëshqitjes së tokës. Verifikimi i parë në terren në fshatin Pevelen është kryer më 29 janar të këtij viti, kur Komuna e Trebinjës sinjalizoi për rrëshqitje toke.
Bllokimet
Reshjet e dëborës vazhdojnë me intensitet edhe në rrethin e Hasit, ku trashësia e dëborës në qytetin e Krumës arrin në rreth 10 centimetra, ndërsa në zonat e thella deri në 30 centimetra, duke shkaktuar ribllokimin e të paktën 12 fshatrave të zonave të thella të këtij rrethi. Drejtues të prefekturës informuan se si rrjedhojë e erës së fortë ka grumbullime dëbore në segmente të veçanta, gjë që ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve në akset Krumë-Qafë Prush që lidh këtë rreth me Kosovën dhe në aksin Kukës-Krumë. Aktualisht, në këto segmente janë duke punuar tr fadroma për pastrimin e dëborës dhe përmirësimin e situatës së qarkullimit rrugor. Edhe Qarku i Kukësit u përfshi sërish në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga reshjet e dëborës. Dëbora ka nisur pardje dhe u shtresua mbi atë të fundjavës së kaluar. Për pasojë u përkeqësua situata në disa akse rrugore. Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit arrin në rreth 5 centimetra, ndërsa në zonat e thella mbi 20 centimetra. Drejtues të Zyrës së Emergjencës Civile në këtë qark thanë se aksi kryesor rrugor Morinë-Kukës-Qafë Shllak është i kalueshëm, por në disa segmente me zinxhirë, pasi ka grumbullime dëbore. Borëpastrueset po punojnë për mbajtjen hapur të rrugëve, veçanërisht në kthesat e Kalimashit, Qafë Shtamës dhe Qafë Shllakut. Sipas përgjegjësit të emergjencave, situata paraqitet më e vështirë në Komunën e Zapodit, të Arrnit, Kalisit e Grykë Çajës, të izoluara që nga dëbora e para disa ditëve. Janë të kalueshme me vështirësi akset rrugore Kukës- Bushtricë dhe Kukës-Shishtavec. Në Dibër, bora ka izoluar 5 komuna. Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve të këtij rrethi thanë se të bllokuara janë komunat: Kala e Dodës, Lurë, Zerçan, Ostren, Xibër. Vështirësi qarkullimi të automjeteve ka pasur në Peshkopi-Qafë Buall, por borëpastrueset e kanë mbajtur situatën nën kontroll. E vështirë paraqitej situata edhe në Mat, ku lartësia e dëborës e kalon një metër në zonat e thella dhe ka krijuar probleme në disa komuna malore. Në disa fshatra dëbora ka arritur 130 cm, duke izoluar totalisht banorët. Komuna Komsi dhe fshati Selitë mbeten më problematikë nga bllokimi i dëborës së rënë. Banorëve u është ndërprerë çdo komunikim me fshatrat e tjerë, ndërkohë mjeti borëpastrues i nisur drejt këtij fshati ka mbetur i bllokuar si shkak i mungesës së karburantit. Banorët janë të bllokuar prej afro 5 ditësh dhe situata duket se bëhet më e vështirë me rinisjen e reshjeve.

Pa energji zonat rreth Tiranës

Moti i keq, me shi dhe erëra të fuqishme gjatë orëve të fundit, ka sjellë pasojë edhe në rrjetin energjetik të vendit. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) njoftoi se për shkak të kohës së keqe një avari është shkaktuar në linjën 35 KV në nënstacionin e Valiasit. Për këtë arsye, disa zona pranë Tiranës kanë mbetur pa energji elektrike. Të njëjtat burime theksuan se energjia elektrike aktualisht mungon në Kamzë, Ndroq dhe zona përreth kryeqytetit. Specialistë të OSSH-së po punojnë për riparimin e avarive, por ende nuk caktohet ora se kur do të rikthehet energjia.

Probleme në Portin e Durrësit

Era e fortë dhe deti i trazuar kanë vonuar nisjen e trageteve nga Porti i Durrësit drejt Barit (Itali), ndërkohë që kushtet detare janë qetësuar mëngjesin e djeshëm me nisjen e reshjeve të shiut. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit bënë të ditur se mbrëmjen e së martës trageti “Grecia” është nisur me vonesë nga Durrësi drejt Barit për shkak të erës së fortë me shpejtësi rreth 40 km në orë, si dhe detit të trazuar. Tre tragetet e radhës që ishin nisur nga porti italian u ankoruan në Durrës rreth orës 07:30 të mëngjesit të djeshëm, pothuajse në orën e caktuar. Sipas burimeve, të gjitha motopeshkatoret u rikthyen pasditen e djeshme në Portin e Durrësit, duke shmangur lundrimin në det në kushtet e motit të keq. Pritet një ndryshim i drejtimit të erës nga veriu, gjë që do të sjellë edhe një ulje të mëtejshme të temperaturave në këtë zonë.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›