Spitali në Shkodër, i vetmi i informatizuar
SHKODER – Në vazhdën e vizitave në spitalet e rretheve kryesore të vendit, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka udhëtuar dje drejt Shkodrës. Gjatë vizitës së saj në spitalin rajonal të qytetit, Godo përgëzoi punën e bërë deri tani në këtë spital, por pa harruar të vejë në dukje edhe problemet, si mungesa e medikamenteve dhe e kapaciteteve njerëzore. Në prononcimin e saj për mediat, ministrja vuri në dukje punën shumë të mirë të bërë në infrastrukturën e spitalit dhe aparaturat elektronike të vëzhgimit, projekt i cili ka arritur tashmë në fazën e tretë dhe të fundit të tij. Gjithashtu, Godo zhvilloi takime edhe me përfaqësues të pushtetit vendor, ku gjeti mbështetjen e tyre për përmirësimin e sistemit shëndetësor. r.d