E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan-Podgoricë, përfundon në shtator të ‘09

Linja e interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm. Me ndërtimin e kësaj linje, rrjeti energjetik shqiptar do të zgjidhë një herë e mirë problemet me importin e energjisë.

fabiola Çela

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) Ymer Balla, ka deklaruar se ka nisur puna për ndërtimin e kësaj linje. Sipas tij, ndërtimi i kësaj linje është shumë i rëndësishëm për sektorin energjetik, pasi rrit ndjeshëm kapacitetet importuese të linjave.
Në cilën fazë ndodhet ndërtimi i linjës 400 kv Elbasan-Tiranë-Podgoricë, duke pasur parasysh se ndërtimi i saj ka një afat përfundimi në mesin e vitit 2009?
Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Podgoricën ka dy pjesë, një në territorin shqiptar dhe pjesën tjetër në atë malazez. Ndërtimi i tyre bëhet nga e njëjta kompani. Kontrata për ndërtimin e tyre ka kohë që është nënshkruar. Por gjatë kësaj kohe kompania ka kryer studimin topografik nga Tirana deri në Podgoricë. Pas studimit topografik është kryer edhe studimi gjeologjik dhe në funksion të tyre firma ka bërë edhe testimin e shtyllave. Theksoj se para pak kohësh ka nisur edhe implementimi i projektit në vend, praktikisht kanë nisur të hapen gropat për vendosjen e bazamenteve të shtyllave. Pra ka filluar procesi i ndërtimit në terren të linjës, e cila sipas kontratës do të mbarojë në tremujorin e tretë të vitit 2009, ose më saktë në fillim të shtatorit të 2009-ës. Ajo çka është edhe shumë e rëndësishme, është fakti se tashmë është nënshkruar kontrata për linjën Tiranë-Elbasan. Ndërtimi i kësaj linje është shumë i rëndësishëm, pasi linja Tiranë-Podgoricë po nuk u ndërtua, është e pakuptimtë. Me ndërtimin e kësaj linje mbyllet unaza rajonale e linjës 400 kv. Po në këtë linjë është nënshkruar kontrata me palën italiane dhe së shpejti pritet të vijë ekipi italian për të bërë matjet topografike për të ndërtuar linjën e pas kësaj bëhet një studim gjeologjik dhe, sipas kontratës, të dyja këto linja do të mbarojnë në të njëjtën kohë.
Me përfundimin e kësaj linje sa rritet kapaciteti importues?
Unë mendoj që problemet e importit të energjisë do të zgjidhen para vitit 2009, sepse Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria marrin energji nga një linjë që është Bullgari-Greqi dhe kjo linjë ngarkohet. Kur të mbarojë linja me Maqedoninë, kjo linjë do të shkarkohet. Pra, mbarimi i linjës Elbasan-Tiranë-Podgoricë do të rrisë ndjeshëm kapacitetet importuese. Por ajo çka është më e rëndësishme për mua si inxhinier, është fakti që me përfundimin e kësaj linje rritet ndjeshëm siguria në punë.
Çfarë po bëhet me ndërtimin e nënstacionit elektrik të Tiranës?
Me ndërtimin e nënstacionit të Tiranës, ose të Kasharit, jemi në një fazë të përparuar. Unë them që brenda qershorit lidhim kontratën për nënstacionin. Theksoj se këto janë projektet më të mëdha energjetike.
Përveç linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Mali i Zi, ka edhe një projekt për linjën 400 kilovat Tiranë-Prishtinë, në ç’pikë jeni me realizimin e këtij projekti?
Për linjën 400 kv Tiranë-Prishtinë ne po punojmë dhe kemi gjetur gatishmëri nga KFW për ta financuar. Për këtë linjë është kryer fizibiliteti para 4 vjetësh nga një kompani italiane për palën kosovare, por ky studim vlen edhe për ne. Studimi i është dhënë KFW-së. Aktualisht kjo kompani po shikon edhe një herë studimin për ta rifreskuar edhe një herë. Së shpejti pritet të ketë një takim për të parë edhe rezultatet përfundimtare. Unë mendoj dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Më pas do të fillojnë procedurat për financimin e kësaj linje. Në fakt, procedurat e financimit zakonisht zgjatin minimalisht një vit dhe pas nënshkrimit të kontratës duhen dy vjet për të ndërtuar linjën. Por duhet të kemi parasysh se këto janë projekte madhore, linja 400 kilovat Tiranë-Prishtinë është një “autostradë” energjetike, pra është shumë e rëndësishme nga pikëpamja energjetike. Ndërtimi i kësaj linje ka dy faza. E para është që bëhet aktivizimi ndërmjet dy sistemeve, sepse ne prodhojmë energji me ujë dhe Kosova me qymyr. Po të kemi parasysh që në Kosovë do të ndërtohet një termocentral i ri me fuqi goxha të madhe, do të përfitojë energji jo vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni.
Ka pasur një projekt për ndërtimin e kabullit nënujor me Italinë, çfarë po bëhet me këtë projekt?
Po, një linjë tjetër e rëndësishme është edhe ajo me Italinë, që është pjesë e Korridorit 5 dhe është Bullgari-Maqedoni, Maqedoni-Shqipëri dhe pastaj Shqipëri-Itali me kabllin nënujor. Pjesa e parë e këtij korridori është Bullgari-Maqedoni, ajo ka filluar, është bërë studimi i fizibilitetit për pjesën Maqedoni-Shqipëri, Shqipëri-Itali dhe po përpiqemi të gjejmë financim, sidomos për pjesën Maqedoni-Shqipëri, se është një pjesë që kushton edhe më pak, sepse pjesa e kabullit nënujor është e rëndësishme, por kushton shumë.
Duke qenë se situata hidrike është përmirësuar, a ka nisur depozitimi i energjisë elektrike?
Kohët e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm të situatës dhe Fierza është mbi 290 metra. Muaji prill dhe maj historikisht janë muaj me prurje të mëdha, sepse gjatë këtyre muajve shkrin bora dhe mendohet që mund të shkohet deri aty sa të derdhet uji dhe ky është shkaku që ne po depozitojmë energji në Kosove dhe te kompania tregtare “Atel”, por kjo energji do të merret gjatë muajve të thatë.  

fierza

293.05 metra niveli i ujit në Fierzë
296 metra niveli maksimal i Fierzës
190 metër kub në sekondë prurjet e ujit
3 cm rritja ditore
172.11 metra niveli i ujit në Koman
90 metër kub në sekondë prurjet anësore
73.88 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës
13.6 milionë kwh prodhimi i energjisë
4.1 milionë kwh importi i energjisë
17.7 milionë kwh konsumi i energjisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›