Lakra
Edmond Tupja
Me gjithë tri germat e saj të fundit me ngarkesë erotike (mjafton t’i rendisësh ato paksa ndryshe) ose ndoshta pikërisht falë tyre ...ruaj ende sot respektin më të madh për këtë perime të thjeshtë ndonëse me kokë të madhe, por pa qafë fare, emrin e së cilës e kam zgjedhur kësaj radhe si titull të këtij shkrimi. Në fjalorët e ndryshëm të gjuhës shqipe, botuar herë pas here, tek zëri “lakër” gjithmonë më ka tërhequr vëmendjen shprehja “të kesh lakra në kokë”. Zakonisht, shprehje të tilla me kuptim të figurshëm janë me prejardhje popullore dhe me kuptim të leksikalizuar, pra, të ngurtësuar prej shumë kohësh. Në kohën e qepës a, më saktë, të lakrës komuniste, mbaj mend që mund të ishte diçka me pasoja të rrezikshme po të të thoshte dikush “Ti paske lakra në kokë!”, sepse te kjo shprehje, shumësi “lakra”, siç e dëshmon “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” i vitit 1980, kishte një kuptim tejet të politizuar: “Mendime të gabuara të turbullta e prapanike ose mendime të kundërta me botëkuptimin tonë socialist që ka dikush në kokë e që duhet t’i heqë”. Me rënien e diktaturës komuniste, mbaroi edhe epoka e lakrës komuniste që ia la vendin epokës së lakrës kapitaliste, çka e dëshmon më së miri dhe “Fjalori i gjuhës shqipe” i vitit 2006, ku, tek zëri “lakër”, lexojmë, në kuptimin e figurshëm, sigurisht: “mendime të gabuara që ka dikush”. Siç vërehet, kemi më në fund një depolitizim të kësaj shprehjeje.
Gjithsesi, e politizuar apo e depolitizuar, dukuria e pranisë së figurshme të lakrave në kokën e njeriut, duam s’duam, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në kohën e diktaturës komuniste, në Shqipëri njihej kryesisht vetëm lakra e bardhë, pra, rrjedhimisht dhe politikisht, lakrat në kokën e njeriut asokohe nuk mund të përfytyroheshin veçse të bardha, pra, si diçka e përafërt me reaksionin bjellogardist fill pas Revolucionit të Tetorit në Rusi (bjello, i bardhë), çka justifikon përkufizimin e figurshëm të lakrës në “Fjalorin e sotëm të gjuhës shqipe” të vitit diktatorial 1980. Me shembjen e komunizmit dhe vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri, u shfaqën edhe lakra me ngjyra të tjera si lakra e kuqe, apo lakrat e vogla jeshile (ato të Brukselit, brokolit e ndonjë tjetër). Në këtë kontekst shumëngjyrësh si vetë pluralizmi, shprehja e figurshme “të kesh lakra në kokë” njohu zhvillime të reja. Kështu, për shembull, një demokrat, kur vë re se dikush anon më shumë nga e majta, të themi nga Partia Socialiste, me të drejtë mund të thotë për të: “Ai paska në kokë lakra rozë”; nga ana tjetër, një socialist, kur vë re se dikush anon më shumë nga e djathta, të themi nga Partia Demokratike, me të drejtë mund të thotë për të: “Ai paska në kokë lakra blu”; kur të dy këta vënë re se një i tretë është simpatizant, ta zëmë, i Partisë Socialdemokrate, kanë të drejtë të thonë: “Ai paska në kokë lakra lejla”, meqenëse kur bluja përzihet me rozën jep ngjyrën lejla, ngjyrë, sipas tyre, e shkartisur, çka justifikon plotësisht reformën e kodit zgjedhor që, duke kërkuar me këmbëngulje zbatimin e sistemit proporcional rajonal, shmang partitë kërpudha nga fusha e betejës zgjedhore, pra, e luftës për pushtet, ku vetëm lisat na qenkan të denjë të ndeshen me njëri-tjetrin dhe jo kërpudhat që gëlojnë rrëzë tyre. Nuk po zgjatem me mikrolakrat jeshile (tip lakër Brukseli apo brokoli) me nuanca ambientaliste apo ekologjiste, që mund të japin fjali të llojit “Ai paska në kokë lakra jeshile”. A e dini pse? Sepse nga lakërishtja e politikës shqiptare, po ushqehemi kaq shumë me lakrurina ngjyra-ngjyra saqë në kokat tona nuk ka më lakra, por sallatë lakrash, ku pështjellimi ynë po hapet si vaji në lakra dhe vetëdija qytetare po na lakërohet aq keq saqë ne, për pasojë, rrezikojmë të jemi spektatorë të shndërrimit të shpirtit tonë në lakër qeni. Po pse pikërisht në lakër qeni? Ç’lloj lakre na qenka kjo? – do të pyesni ju, lexues të shqetësuar të rubrikës sime. Përgjigjen e kam të gatshme, e kam gjetur pikërisht tek “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” të vitit 1980: Lakra e qenit, shkruhet në të, është një “bimë barishtore e egër, që rritet në kullota e në vende me shkurre dhe që ka lëng të hidhur e mund të helmojë kafshët që e hanë”. A e shikoni, pra, sa të rrezikshme janë lakrat që kemi në kokë, pavarësisht ngjyrës që mund të kenë?