Dy familje rrezikojnë të mbeten pa shtëpi, rrëshqet toka
BULQIZË - Moti keq ka sjellë rrëshqitje toke në fshatin Dragu të Komunës Fushë-Bulqizë duke rrezikuar dy banesa që ndodhen pranë. Rrëshqitja e tokës ka ndodhur para tri ditëve dhe ka sjellë shembjen e murit rrethues të njërës prej këtyre shtëpive, në një gjatësi prej rreth 40 metrash, si dhe është dëmtuar linja e ujësjellësit. Më në rrezik janë dy shtëpi të fisit Lami nga ky fshat. Banorët e dy familjeve janë tmerruar mesnatën e ditës së diel pasi dëgjuan një zhurme të fortë, e cila kishte ardhur si rezultat i shembjes së murit rrethues të shtëpisë. Kryefamiljari i njërës prej familjeve që rrezikojnë shembjen, Hasan Lami ka shkuar në komunë, ku ka kërkuar një grup specialistësh, për të përcaktuar nëse shtëpia përben rrezik për të banuar në të ose jo. Ndërkohë banorët e rrezikuar vazhdojnë të ngrysin ditët pa ditur nëse shtëpitë e tyre janë të banueshme ose jo.
Arrestohet 58–vjeçari, kanosi me thikë kushëririn
TIRANË - Pas një konflikti, një 58-vjeçar nga fshati Allgjat, komuna Vaqar, ka marrë thikën dhe e ka kërcënuar kushëririn. Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi mbrëmjen e ditës së martë, ku shtetasi Haxhi Shima, lindur dhe banues në Vaqarr, ka kanosur me një armë të ftohtë thikë shtetasin Dashamir Shima, 35 vjeç, banues në Vaqarr. 58-vjeçari u arrestua në flagrancë menjëherë pasi ndodhi ngjarja. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprat penale të “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta dhe kanosjes”.
Pranga shqiptarit në Itali, mbante armë
ITALI - Një 28-vjeçar shqiptar u arrestua nga Policia e Trevisos pasi iu gjet një pistoletë pa leje. Sipas burimeve policore italiane, 28-vjeçari Drini Karaj është arrestuar pasi iu kap një pistoletë e tipit beret. Patrulla ka parë dy automjete të tipit “Renault” dhe “Golf” që kishin ndaluar në rrugë. Në të parin qëndronte shqiptari, i cili kishte ndaluar dhe po fliste me pasagjerët e makinës tjetër ku ndodheshin dy prostituta. Në këtë moment policia i kërkoi shqiptarit të nxirrte dokumente dhe kur ai hapi kroskotin e makinës së tij policët dalluan një pistoletë e tipit beret e kalibrit 22 dhe rezultoi e vjedhur 7 nëntorin e shkuar. Policia ndërhyri, gjë që u kundërshtua me dhunë nga shqiptari Drini Karaj, i cili kërkoi dhe të ikte. Por karabinierët arritën ta prangosnin dhe pas një kontrolli që iu bë u gjetën dhe një sasi parash prej 2000 eurosh, të cilat ai i kishte futur në kollaren e tij. Drini tha se paratë i kishte fituar nga puna e tij, por, me sa duket, ai kishte nën zotërim prostitutat e makinës tjetër, gjë që shpjegon dhe sasinë e parave që ai kishte fshehur. Përsa u përket vajzave që ndodheshin prapa shqiptarit, ato ishin një shqiptare 22-vjeçare dhe një rumune 24-vjeçare, për të cilat u mor masa e largimit të menjëhershëm nga shteti italian.
17 Dhjetor 2009