Përcaktohen kriteret se si do të nxirren në ankand makinat e deputetëve
Laureta Rryçi
Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin që përcakton mënyrën se si do të shiten makinat e deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë për të cilët është vendosur më parë që nuk do të lëvizin më me makinat e shtetit. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm kriteret që do të merren parasysh për t’i nxjerrë këto makina në ankand, si do të funksionojë komisioni i ankandeve dhe mënyrën e indeksimit të përfitimit financiar mujor.
Rregullat për komisionet e ankandit dhe dokumentacioni
Sipas projektligjit të miratuar dje, titullarët e institucioneve, objekt i Ligjit Nr. 10160, datë 15.10.2009, “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” që më poshtë do të quhen titullarët e autoritetit shitës, miratojnë edhe listën e mjeteve të transportit që do të shiten, pasi kanë miratuar listën e mjeteve, të cilat mbeten në pronësi të institucionit. Lista e mjeteve të transportit që do të shiten së bashku me të dhënat përkatëse për vitin e prodhimit, markën dhe modelin, i dërgohet nga autoriteti shitës, zyrës doganore më të afërt, e cila, brenda pesë ditëve kalendarike, përgjigjet zyrtarisht për vlerën që rezulton për secilin automjet, nga tabelat e buletineve që pasqyrojnë vlerën e shitjes në tregjet europiane. Zyra doganore bën verifikimin në përputhje me Udhëzimin Nr.25, datë 30.11.2007, të ministrit të Financave, “Për procedurat e shqyrtimit të vlerës doganore, burimet e informacionit dhe afatet e publikimit të dosjes me të dhëna sa të disponueshme, si dhe zhdoganimin e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit të tyre”. Titullarët e autoriteteve shitëse, brenda 3 muajve nga marrja e përgjigjes nga zyra doganore ngrenë komisionet e ankandit. Komisioneve të ankandit u vihet në dispozicion inventari i mjeteve të transportit, në pronësi të autoritetit shitës, duke përcaktuar ato mjete, që u janë dhënë në përdorim titullarëve, zyrtarëve apo nëpunësve të tjerë dhe që posedohen prej tyre, si dhe i gjithë dokumentacioni për këto mjete transporti. Ngarkohen komisionet e ankandit, që, në emër të autoritetit shitës, në përputhje me dispozitat e ligjit dhe të këtij vendimi, të organizojnë procedurat e ankandit për mjetet e transportit, në pronësi të autoritetit shitës.
Dokumentet
Komisionet e ankandit, brenda dy muajve nga data e krijimit, hartojnë dokumentet e ankandit. Komisionet e ankandit, në emër të autoritetit shitës, në mbledhjen e parë, vendosin për formën e komunikimit të dokumentacionit të lidhur me ankandin. Gjithashtu komisionet mund të vendosin të publikojnë të gjitha njoftimet dhe dokumentacionin e ankandit, apo njoftimin për vendin se ku të interesuarit mund ta sigurojnë këtë dokumentacion, në faqen zyrtare të internetit të secilit institucion. Identifikimi i objektit të shitjes bëhet nga komisioni, në bazë të inventarit, të vënë në dispozicion nga autoriteti shitës. Komisioni harton materialin shpjegues, me karakteristikat e secilit objekt, që do të shitet, material që është pjesë e dokumentacionit për ankandin dhe duhet të përshkruajë qartë objektin, që do të shitet me ankand, duke iu referuar aktit të pronësisë mbi objektin apo aktit ligjor të disponibilitetit të tij, si dhe foto të tij. Materiali duhet të përmbajë vlerën fillestare të ankandit të mjetit të transportit, si dhe të përshkruajë metodologjinë e përdorur për vlerësimin e objektit të shitjes. Nga përshkrimi duhet të dalë gjendja funksionale e objektit të shitjes nga pikëpamja teknike, estetike dhe funksionale.
Box
Metoda e përdorur për nxjerrjen e vlerës fillestare të ankandit
Komisionet, për të llogaritur vlerën e mjetit të transportit që do të dalë në ankand, do t’i referohen tabelës së dërguar nga zyra doganore, e cila ka përdorur si burim informacioni buletinet, që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet europiane. Vlerës së gjendur në tabelë i zbritet 50% si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e mbetur është vlera e mjetit të transportit, e cila do të jetë edhe vlera fillestare e ankandit.
Komisioni i ankandit, pas llogaritjes së vlerës fillestare, harton njoftimin, i cili, së bashku me dokumentacionin për mjetin, i ofrohet, së pari, nëse ka, zyrtarit në dispozicion të të cilit është mjeti, i cili duhet, që, brenda tre ditëve pune, të kthejë përgjigje me shkrim, për pranimin ose jo të ofertës, si dhe për kushtet e pagesës. Për vlera më të mëdha se një milion lekë) lekë, zyrtari, në dispozicion të të cilit është mjeti, që gëzon të drejtën e parablerjes dhe që ka pranuar ofertën, ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e pagesës me këste, të cilat nuk mund të jenë më të vogla se pesëqind mijë lekë për çdo vit pasardhës, me kusht që të shlyejë menjëherë, të paktën këstin e parë prej një milion lekësh. Kontrata e shitjes duhet të përmbajë edhe kushtet e pagesës, nëse ka, dhe nënshkruhet nga blerësi dhe titullari i autoritetit shitës.
box
Procedurat e shitjes
Nëse nuk ka posedues të mjetit apo në rastet kur blerja është refuzuar nga personi, i cili ka pasur të drejtën e parablerjes mbi mjetin, objekt i ankandit, atëherë kalohet në procedurën e hapur. Në procedurën e hapur, komisioni i ankandit, në emër të autoritetit shitës, publikon në faqen zyrtare të internetit të institucionit përkatës, njoftimin e ofertës për fillimin e procedurave. Njoftimi dhe dokumentacioni, në varësi të vendimit të marrë nga komisioni, qëndron i publikuar apo vihet në dispozicion të të interesuarve, për një periudhë 1-mujore, kohë gjatë së cilës çdo i interesuar mund të paraqesë/depozitojë ofertën e vet pranë komisionit. Njoftimi, në këtë rast, duhet të sqarojë edhe vendin se ku duhet paraqitur/depozituar oferta.
box
Sqarimet dhe ndryshimi në dokumentacionin e ankandit
Ofertuesi i mundshëm mund të kërkojë nga komisioni i ankandit sqarime shtesë për objektin që do të shitet në ankand, dhe komisioni duhet t'i përgjigjet çdo kërkese për sqarim të dokumenteve të ankandit, të bërë nga çdo i interesuar, me kusht që kërkesa të jetë marrë jo më vonë se 5 ditë para afatit përfundimtar të dorëzimit të ofertave. Komisioni duhet të përgjigjet brenda 3 ditëve nga depozitimi i kërkesës, në mënyrë që të bëjë të mundur dorëzimin e ofertës në kohë nga i interesuari. Komisioni, pa identifikuar burimin e kërkesës, në të njëjtën mënyrë siç ka shpërndarë dokumentacionin e lidhur me ankandin, duhet të shpërndajë edhe sqarimet shtesë në mënyrë që edhe të gjithë të interesuarit e tjerë të vihen në dijeni. Të interesuarit e tjerë, që kanë depozituar ofertat e tyre dhe janë në dijeni të sqarimeve shtesë, kanë të drejtë ta zëvendësojnë ofertën e dorëzuar me një tjetër, brenda 48 orëve nga shpërndarja e njoftimit. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin, kur komisioni, përpara mbarimit të afatit të fundit për dorëzimin e ofertave të ankandit dhe për çfarëdolloj arsyeje, me nismën e vet, mund të bëjë ndryshime në dokumentet e ankandit, përmes hartimit të një shtojce. Çdo shtojcë u komunikohet menjëherë të gjithë kandidatëve blerës, që kanë depozituar ofertën, dhe bëhet detyruese për ta. Shtojca vihet në dispozicion të të interesuarve me të njëjtën mënyrë të përdorur për shpërndarjen e dokumentacionit për ankandin.
Paraqitja dhe pranimi i ofertave
Ofertat dorëzohen me shkrim, dorazi ose përmes postës, të nënshkruara dhe të mbyllura në zarf.
Pa prekur të drejtën e kandidatit blerës për të dorëzuar ofertat në formën e përcaktuar në shkronjën "i", të kësaj pike, oferta dorëzohet edhe në ndonjë formë tjetër, të përcaktuar në njoftimin e ankandit, e cila siguron një shkallë të ngjashme origjinaliteti, sigurie dhe konfidencialiteti, përfshirë edhe rrugët elektronike.
Komisioni i ankandit, sipas kërkesës, pajis ofertuesit me një dëshmi, ku shënohen data dhe ora e pranimit të ofertës.
Ofertat e paraqitura pas mbarimit të afatit të fundit të paraqitjes së tyre u kthehen të pahapura ofertuesve, që i kanë paraqitur ato.
Komisioni i ankandit përcakton vendin e paraqitjes së ofertave.
Hapja e ofertave
1. Komisioni, pas mbarimit të afatit përfundimtar për paraqitjen e ofertave ose pas mbarimit të afatit përfundimtar të përcaktuar, pas zgjatjes së këtij afati, në përputhje me njoftimet përkatëse, i hap të gjitha ofertat në datën, vendin dhe kohën e përcaktuar në dokumentet e ankandit.
2. Ofertuesit ose përfaqësuesit e tyre të autorizuar, që kanë paraqitur oferta, ftohen të marrin pjesë në hapjen e ofertave.
3. Emri, adresa e ofertuesit, oferta e të cilit hapet, si dhe çmimi i çdo oferte lexohen me zë të lartë për ata persona, që janë të pranishëm, dhe regjistrohen në procesverbalin e procedurës së ankandit.
4. Procesverbali duhet t'i vihet menjëherë në dispozicion, në bazë të kërkesës, çdo ofertuesi, ndërsa ofertuesit që ka paraqitur ofertën, por që nuk është i pranishëm ose i përfaqësuar në hapjen e ofertave, duhet t'i dërgohet për njoftim.
Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese
1. Ofertat renditen, duke filluar me çmimet më të larta dhe deri në ato të barabarta me çmimin fillestar minimal të shitjes.
2. Komisioni përcakton ofertën më të mirë, pas krahasimit dhe vlerësimit të ofertave dhe shpall fitues ofertuesin, oferta e të cilit ka vlerën më të lartë.
3. Në rast se pas hapjes së ofertave rezultojnë dy ose më shumë oferta me vlerë të barabartë, fituesi shpallet me short.
Njoftimi i fituesit dhe nënshkrimi i kontratës
1. Njoftimi i fituesit i jepet menjëherë ofertuesit, që ka paraqitur ofertën më të mirë. Kontrata hyn në fuqi, kur nënshkruhet nga ofertuesi fitues dhe nga autoriteti shitës.
2. Kontrata e shitjes hartohet në përputhje me Kodin Civil.
Indeksimi i përfitimit financiar mujor
Indeksimi i përfitimit financiar mujor për shërbime transporti bëhet një herë në vit. Këshilli i Ministrave, në përputhje me Nenin 5, të Ligjit Nr. 10160, datë 15.10.2009, “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil”, vendos, brenda datës 31 mars, të çdo viti, masën e indeksimit të përfitimit financiar, në bazë të vlerës së inflacionit vjetor, që deklarohet nga INSTAT-i në janar të çdo viti, por jo më shumë se 3% në vit. Efektet financiare përballohen nga buxhetet përkatëse vjetore, të miratuara për ministritë/institucionet qendrore.
17 Dhjetor 2009