ISKSH përcakton kriteret e reja për vlerësimin e mjekëve
Emanuela Sako
ISKSH-ja ka vendosur kritere të reja për vlerësimin e mjekëve dhe të spitaleve. Gjatë një konferencë për shtyp, për miratimin e kontratave të reja me spitalet për vitin 2010, Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, deklaroi se në spitalet do të zbatohen disa kritere të reja përveç atyre ekzistues. Një pikë e rëndësishme e kritereve të vendosura është dhe synimi për uljen e operacioneve te gratë shtatzëna. Për këtë, Hana theksoi se është vendosur një sistem matje, ku numri i operacioneve në raport me lindjet duhet të jetë më pak se 20 për qind. Nëse ky kufi kalohet atëherë materniteti nuk do të hyjë tek spitalet që kanë performancë të mirë. Ky është një kriter i kërkuar nga OBSH-ja, në raport me lindjet e shumta çezariane tek gratë shtatzëna.
Kriteret
Përveç kriterit të vendosur për uljen e numrit të operacioneve në maternitete, ka dhe disa kritere të tjera, për të cilat mjekët do të duhet t’i arrijnë për të pasur performancë të lartë dhe për të përfituar bonus. Një kriter i ri i vendosur nga ISKSH-ja është edhe përqindja e shfrytëzimit të shtratit. Çka do të thotë që sa më i lartë të jetë shfrytëzimi aq më efikas është spitali. Kriter bazë është përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë. Sa më i ulët të jetë ky kriter, aq më efikas është shërbimi dhe njëkohësisht edhe performanca e mjekëve, do të jetë më e lartë.
Specialistët kanë menduar që një ndër kriteret për të pasur shërbim më cilësor në spitale, të jetë përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali, ku sa më e lartë të jetë aq më efikas është shërbimi dhe njëkohësisht edhe përfitimi i mjekëve. ”Synimi ynë është që një pjesë e pagesës së spitaleve të bëhet në bazë të plotësimit të këtyre indikatorëve, në mënyrë që mjekët të kuptojnë se eficienca paguhet me buxhet shtesë. Në fund të vitit, ISKSH do të aplikojë dhënien e bonusit në masën 5 % mbi buxhetin e planifikuar, si një metodë efikase për të stimuluar mjekët dhe për të rritur cilësinë e shërbimit”,- u shpreh drejtoresha e ISKSH-së.
Masat
Sipas ISKSH-së, qëllimi i vlerësimeve të reja është fuqizimi i spitaleve rajonale, të cilat duhet të respektojnë sistemin e referimit. Në të kundërt për mjekët do të ketë penalitete nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë. Kështu, të gjithë mjekët që nuk zbatojnë sistemin e referimit do të penalizohen me gjobë. “Kontratat e reja synojnë gjithashtu forcimin e rolit të kontrollit në spitale. Moszbatimi i sistemit të referimit do të gjobitet me 10.000 lekë për rastin e parë të konstatuar dhe në rast të përsëritjes 30.000 lekë te reja e deri në masa të tjera administrative si propozim për largim nga puna”, theksoi Hana. Një pikë tjetër e rëndësishme e kontratave me spitalet është ngritja e strukturës së shërbimit të recepsionit dhe arkëtimit, e cila do të regjistrojë dhe identifikojë lëvizjen e pacienteve si dhe përfitimin e shërbimit përkatës brenda spitaleve. Funksionimi i mirë i këtij shërbimi do të sjellë ulje të informalitetit dhe rritje të të ardhurave të spitaleve, të cilat do të përdoren për barna, investime dhe shpërblime.
Risitë në kontratën spitalore të vitit 2010 është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh të cilët janë:
Përqindja e shfrytëzimit të shtratit. (sa më e lartë të jetë aq më efikas është spitali)
Përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë. (sa më e ulët të jetë, aq më efikas është shërbimi)
Përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali. (sa më e lartë të jetë aq më efikas është shërbimi e njëheëesh edhe përfitimi i mjekëve)
Përqindja e kryerjes së operacioneve çezariane te gratë shtatzëna (kur është e ulët tregon performancë të mirë të Maternitetit)
17 Dhjetor 2009