E Diel, 1 Nëntor 2026

E rrallë, mashtroi për virgjërinë, Gjykata dënon vajzën gënjeshtare

Gjykata e Tiranës ndëshkoi me gjobë 19-vjeçaren që mashtroi prindërit
Laureta Rryçi

Në gjykatë dënohen për vepra të ndryshme penale dhjetëra e qindra persona, por, si asnjëherë më parë, dje një vajzë u ndëshkua se mashtroi për virgjërinë e saj. Problemet në familjet shqiptare mes prindërve dhe fëmijëve e kanë kthyer procesin në fjalë si një tragjikomedi ku me gjithë premtimet se do të jenë të sinqertë, në fund të gjitha palët ndihen të mashtruara. Historia nuk ka ndodhur në ndonjë zonë rurale të Shqipërisë dhe as është e importuar në metropol, por është prodhuar pikërisht në një familje kryeqytetase, që me sa duket edhe në ditët tona vazhdon të mbetet fanatike ndaj parimeve tradicionale. Procesi i rrallë do të kalonte pa shumë bujë dhe pa u vënë re, por gjyqtari që ka dhënë verdiktin duket se e ka pasur të vështirë të harrojë fabulën që i ka rënë për gjykim.
Ngjarja
Gazeta ”Albania” ka mundur të sigurojë të plotë vendimin e Gjykatës për këtë çështje të rrallë, por, për arsye etike, ka vendosur të botojë vetëm inicialet e personazheve të këtij procesi, për të sjellë kështu vetëm problemin që mbart dhe pa ndërhyrë në jetën private të çdokujt. Në vendimin e Gjykatës thuhet se më datë 24 mars të këtij viti, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e kallëzimit të shtetases A. K. ka regjistruar procedimin penal për veprat: “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “heqje të paligjshme të lirisë” të kryera në bashkëpunim. Kallëzim që fillimisht, sipas të dhënave që ka dhënë 19-vjeçarja, ishte pa autor. Në kallëzimin e saj, A. K. kallëzonte se në datën 10 mars të këtij viti, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur rruga “Ylbere Bylykbashi”, pas saj është afruar një makinë me xhama të zinj dhe nga dera e pasme e makinës ka zbritur një djalë që i ka vendosur dorën në qafë duke e shtrënguar fort. Për momentin ajo ka humbur fuqinë dhe është marrë forcërisht në një automjet nga katër persona të paidentifikuar, është çuar në një hotel, vendndodhjen e të cilit vajza ka thënë se nuk e dinte dhe më pas, njëri prej këtyre personave e ka qëlluar me shpulla dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të nëpërmjet dhunës. Sipas kallëzimit të saj, personi që ka kryer marrëdhënie seksuale me të ishte i moshës rreth 30-35 vjeç dhe punon si fatorino te një furgon me ngjyrë të bardhë i tipit “Benz”, por targat nuk i kujtohen. Pas kallëzimit të vajzës prokuroria ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur çështjen në fjalë, ndërkohë që vajzës i është kërkuar që t’i nënshtrohej disa akt–ekspertimeve për të vërtetuar se vërtet ndaj saj ishte ushtruar dhunë seksuale dhe ishte humbur virgjëria, ashtu siç ajo pretendonte në kallëzimin e saj. Sipas prokurorit të çështjes, nga akt-ekspertimi mjekoligjor i datës 24 mars po të këtij viti ka rezultuar se në trupin e 19-vjeçares A. K. ishin konstatuar grisje të cipës së virgjërisë, si dhe plagë e hematoma në këndin e poshtëm të vaginës. Dëmtimet e konstatuara në cipën e virgjërisë tek e ekzaminuara dëshmonin sipas ekspertëve për një deflorim të freskët. E pyetur një ditë pas akt-ekspertimit, në prani të të atit S. K., vajza ka deklaruar se këtë kallëzim e ka bërë nga frika e familjarëve të saj, pasi, siç shprehet ajo, i kishte premtuar babait se në rast se do të kishte ndonjë lidhje dashurore me dikë, do t’i tregonte.
E vërteta
Sipas prokurorit, në të vërtetë, më datë 10 mars vajza kishte qenë me të dashurin e saj, të quajtur K. M. dhe së bashku me një çift tjetër bashkëmoshatarësh kanë shkuar në një hotel të Durrësit. Aty kanë marrë një dhomë dhe më pas kishin kryer marrëdhënie seksuale me të dashurin, me dëshirën e saj të plotë, e pas aktit seksual ka pasur hemorragji. Të nesërmen në mëngjes janë nisur për në Tiranë dhe ajo ka shkuar në shtëpi, por kallëzimin e ka bërë për shkak të trysnisë së prindërve. I pyetur në lidhje me këtë ngjarje, i dashuri i vajzës, shtetasi K. M., deklaron se prej disa kohësh ai është i dashuri i A. K. dhe më 10 mars, pasi janë takuar për të pirë një kafe, janë nisur në drejtim të Durrësit në shoqërinë e një çifti tjetër. Pasi kanë marrë nga një dhomë, ai ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën me dëshirën e përbashkët.
Si në hetimet paraprake, dhe në gjykim, e pandehura e ka pranuar fajësinë duke shpjeguar se e ka bërë kallëzimin nga frika e familjarëve të saj, pasi i kishte premtuar babait se në rast se do të kishte ndonjë lidhje dashurore me dikë, do t’i tregonte.

Mashtrimi që u kthye në vepër penale
Por, ndërsa prokurori e ka kuptuar se i gjithë kallëzimi i vajzës ishte fantazi e saj për t’i shpëtuar presionit të prindërve, ka kthyer menjëherë statusin e vajzës nga akuzuese në të akuzuar. Tashmë çdo gjë ishte komplikuar më shumë. Atë që prindërit nuk mundën dot ta zgjidhnin me vajzën e tyre, tanimë fakti që kishte përfshirë edhe institucione shtetërore kishte pasojat e veta. Prokurori, në këtë rast, kishte vënë në lëvizje oficerët gjyqësorë, ishin marrë dëshmi dhe u kryen akt-ekspertime. Çështja kishte pasur shpenzimet e saj, duke i shtuar gjithë kësaj edhe faktin se askush nuk mund të vërë në lojë institucione të tilla siç janë Prokuroria apo Gjykata. Kështu, prokurori ngriti akuzën e “kallëzimit të rremë” për 19-vjeçaren dhe dërgoi dosjen për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Pas nënshtrimit të procedurave të zakonshme dosja kaloi në short dhe u përcaktua gjyqtari që do ta gjykonte. Gjatë procesit vajza është përballur edhe njëherë me të gjithë mashtrimin e saj mbi virgjërinë duke u shprehur se ishte penduar për këtë gënjeshtër dhe se kërkonte mëshirë ndaj gjykatës. Gjyqtari, duke pasur parasysh trysninë që 19-vjeçarja ka pasur ndaj prindërve për humbjen e virgjërisë, ka gjykuar se ajo duhet të ndëshkohej me gjobë. Për gjithë këtë histori, tani 19-vjeçarja i detyrohet shtetit 66 670 (gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë) lekë gjobë, e cila duhet të paguhet brenda gjashtë muajve nga dita që vendimi të marrë formë të prerë. Kjo pagesë mësohet se iu premtua gjyqtarit se do të paguhej nga i ati. Në fund të këtij procesi vajza është rikthyer sërish në familjen e saj, ku të gjithë duhet ta kenë kuptuar se vendimi i ndëshkimit nuk ishte vetëm për atë, por edhe për prindërit e saj që në mënyrë jo direkte e kanë detyruar të bijën të mashtrojë për virgjërinë e saj.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›