Uzinat vazhdojnë punën normalisht
Dy uzinat e përpunimit të naftës në Fier dhe Ballsh, gjatë ditës së djeshme kanë qenë në funksionim të plotë. Përgjatë gjithë natës së të hënës, me dhjetëra autobote janë furnizuar me bitum, produkt ky që prodhohet nga Uzina e Përpunimit të Naftës në Fier. Ndërkohë që në funksion të plotë të përpunimit të naftës ka qenë edhe Kombinati i Përpunimit të Thellë në Ballsh. Të dyja këto uzina, pronë e kompanisë "Taçi Oil", u bllokuan nga organi tatimor mesditën e së dielës. Por, ky vendim i tatimorëve nuk është respektuar nga drejtuesit e "Armo"-s. Edhe pse policia tatimore e mbështetur dhe nga policia e rendit ka shkuar mbrëmjen e së hënës për të rivendosur shiritin e bllokimit pranë këtyre dy uzinave, nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Gjatë mbrëmjes së të dielës, në akset kryesore të rrugëve kombëtare që përshkojnë Qarkun e Fierit janë shtuar patrullat e policisë së qarkullimit, si dhe ato të policisë tatimore. Më të shumta në numër këto patrulla kanë qenë në rrugën Fier-Vlorë, ku dhe kishin itinerarin autobotet e mbushur me bitum. Me dhjetëra drejtues autobotesh pas furnizimit me bitum në UPN-në e Fierit kanë sfiduar postblloqet e taks-forcës tatimore dhe i kanë shpëtuar bllokimit. E njëjta skenë është parë edhe në afërsi të dy uzinave ku ishin ngritur postblloqe të policisë tatimore, të cilat janë sfiduar nga autobotet e mbushur me naftë dhe nënprodukte të saj.
Ma.Tr.
Ma.Tr.