E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy femra përfundojnë në Lanë, u hutuan në timon

15/04/2005  TIRANË- Kryeqytetasit që kishin zgjedhur dje bar “Taivanin” për të shijuar kafen e pasdites, kanë parë me sytë e tyre se si një makinë e bardhë përfundoi në Lanë pa pësuar asnjë gërvishtje. Ngjarja e rrallë ndodhi dje rreth orës 18.00, kur dy femra të trembura nga një kamion që po u afrohej në të djathtë të tyre, zgjodhën rrugën e vetme, atë të lumit të Lanës për t’u shmangur nga përplasja me të. Për fatin e mirë të dy vajzave 20-vjeçare dhe të një djali që ndodheshin në mjetin e tipit "Volksvagen", me ngjyrë të bardhë, rënia në lumë nuk u ka sjellë probleme shëndetësore, pasi, fillimisht makina mori para nën rrota një pemë të vogël, e cila ngadalësoi shpejtësinë. Efektivët e Qarkullimit Rrugor vepruan shumë shpejt për të nxjerrë makinën nga lumi, pasi u shtua rrufeshëm trafiku. Të tronditura nga ajo ç’ka u kishte ndodhur, dy vajzat dolën nga makina dhe nuk i gëzoheshin dot faktit që shpëtuan për mrekulli. Në fakt, sipas punonjësve të Qarkullimit Rrugor, vajzat patën fat, pasi në çastin e kthesës së fortë të vajzës në timon, nuk kishte asnjë makinë nga prapa tyre dhe në trotuar nuk po kalonte asnjeri. Nëse do qëndronte një nga dy faktet e lartpërmendura, sipas policëve, pritej ndonjë incident i rëndë. Gjithsesi mjeti u nxor shpejt nga Lana dhe ky rast u regjistrua në dosjet e Policisë Rrugore, por, gjithsesi ndaj vjazave nuk u mor asnjë masë administrative, sepse ato ishin tepër të tronditura. Madje, njëra prej tyre pëshpëriste: "Kurrë s’do t’i jap më makinës". Nga statistikat e policisë është mësuar se rastet e shumta të aksidenteve i shkaktojnë shoferët meshkuj, ndërsa femrat përgjithësisht janë të kujdesshme kur i japin makinës, ndonëse tek to vihet re hutimi deri në lëshimin e duarve nga timoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›