E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, Mullai ulet në detyrë, Bushi përsëri i sëmurë

15/04/2005  TIRANË – Dalip Bushi, një prej gjyqtarëve të Apelit, për të cilët është kërkuar marrja e masës disiplinore, ka përsëritur për herë të dytë raport mjekësor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Diskutimi dhe marrja e masës për këtë gjyqtar është vendosur të bëhet në një datë tjetër. Ndërsa Fiqirete Mullai, pasi ka dhënë shpjegime rreth punës së saj në këtë gjykatë, dëgjoi vendimin për transferimin në një gjykatë më të ulët. Kontrolli i fundit i ushtruar në vitin 2004 në këtë gjykatë, ka konstatuar shkelje të rënda në punën e dy gjyqtarëve. Por këta nuk janë të vetmit. Radhë pas radhe, para KLD-së do të paraqiten edhe pjesa tjetër e gjyqtarëve, të cilët janë gjetur me shkelje gjatë kontrollit të ushtruar. Nuk kanë përmbushur detyrën e ngarkuar dhe kanë patur mangësi të theksuar në gjykimin e çështjeve penale. Për Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishte hera e parë që ushtrohej kontroll në Apelin e Tiranës. Ishte krijuar ideja se këta gjyqtarë nuk mund t'i kontrollonte askush. Këtë herë "tabuja" është thyer. Inspektorët, përveçse kanë marrë urdhër për të ushtruar kontroll, kanë dhënë edhe konkluzionet e para. Dalip Bushi dhe Fiqirete Mullai në mbledhjen e djeshme do të jepnin llogari për punën njëvjeçare, madje, do të duhej të shpjegonin gabimet në detyrë. Por dje, vetëm njëri prej tyre është paraqitur dhe ka dëgjuar vendimin, megjithëse është munduar të mbulojë të gjithë punën e bërë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›