E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon arratia nga burgu i Romës i shqiptarit

15/04/2005  Një shqiptar dhe 2 të dënuar të kombësive të tjera kanë tentuar të arratisen nga një burg në Itali, por këtë herë aksioni është frenuar në kohë. 4 të burgosur kishin planifikuar të arratiseshin nga burgu i Rexhina Koelit në Romë, duke gërmuar një tunel, por nuk kanë arritur ta përfundojnë atë. Tentativa dështoi, pasi policia ndërmori një aksion kontrolli në burgjet e vendit, pas arratisjes së shqiptarit Klodian Ndoj, nga burgu milanez “San Vitore”. Agjentët e policisë së burgjeve nuk u kanë besuar syve, kur në qelinë numër 23, në katin e dytë të burgut të Romës, ku gjendeshin dy shqiptarë, një novergjez dhe një bullgar, panë një vrimë nga ku kishte filluar të gërmohej një tunel. Pranë njërit prej shtretërve në qeli, e mbuluar me një copë kartoni, ngjitur me pastë dhëmbësh e shkumë rroje në mur, ishte një gropë me një diametër prej rreth 35 cm, dhe të burgosurit kishin mundur të gërmonin rreth 40 cm në murin 70 cm të trashë. Sipas policisë, për të gërmuar murin, të burgosurit kishin përdorur pjesë metalike të dritares. Duhej edhe pak që muri të hapej dhe më pas, ashtu siç kishin planifikuar, të burgosurit mund të kishin dalë në oborrin e brendshëm prej nga do të tentonin arratisjen; me të njëjtën mënyre me të cilën u arratis Klodian Ndoi dy ditë më parë nga burgu i “San Vitores”. Kontrolle të veçanta janë kryer nga policia italiane në të gjitha burgjet, ku vuajnë dënimin të burgosur shqiptarë. Pas zbulimit të tunelit, vetëm një nga 4 të burgosurit në qeli, një shqiptar ka pranuar përgjegjësinë e hapjes së grupës në mur. Tre prej të burgosurve ishin në qeli prej shkurtit, ndërsa i fundit kishte ardhur vetëm para një jave. Ata akuzohen për krime që lidhen me trafik droge dhe grabitje. Tre prej tyre janë në pritje të gjykimit, ndërsa i katërti në pritje të ekstradimit. Tashmë të burgosurit do të gjykohen edhe për tentativë arratisjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›