Pandeli Tole, mashtrime me kredi në Itali
15/04/2005 Një shqiptar së bashku me 19 persona të tjerë janë vënë në pranga nga policia italiane, të akuzuar për mashtrim në bashkëpunim. Të akuzuarit përfitonin kredi përmes shoqërive fantazëm dhe personave inekzistentë. Mashtrimet e mëdha financiare, prej më shumë se një milion euro, u zbuluan nga Guardia di Finanza e Tarantos. Përmes shoqërive fantazëm dhe personave inekzistentë, përfitonin financime me kredi për të blerë të mira materiale. Të mirat materiale i merrnin gjithmonë, ndërkohë që pagesat nuk i shlyenin kurrë. Guardia di Finanza e Tarantos vuri nën pranga 12 persona të përfshirë, ndër ta edhe një shqiptar, të quajtur Pandeli Tole, 45 vjeç. 10 prej tyre tashmë janë në burg, 2 në arrest shtëpie, ndërsa hetohen në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë. Për të gjithë, akuza është bashkëpunim me krimin e mashtrimin. Sipas hetuesve, organizata kriminale kishte si kapo një sipërmarrës nga Grotaglie në Taranto, me emrin Diego Vestita, por rrjeti shtrihej edhe në Romë, Bari, Peskara, Kieti, Leçe, Ravena, Napoli, Brindizi, Matera, Barleta, Piza e Taranto. Bashkë me Vestiten janë shoqëruar shumë persona, përfshi shqiptarin Pandeli Tole, rezident në Grotalie. Sipas të dhënave të Vestitas, që ishte edhe organizuesi i të gjitha operacioneve të paligjshme bankare, kërkesat për financime për përfitim të mirash materiale (pajisje elektro shtëpiake, makina, mobilje, kompjutera) dhe shërbimeve (trajtime estetike), kryheshin me prezantimin e dokumenteve false. Pas hetimeve gati 2-vjeçare, janë sekuestruar qindra kontrata financiare në favor të 39 personave, të rezultuar inekzistentë dhe të 20 shoqërive fantazma. Institutet financiare të dëmtuara janë Fiditalia, Prestitempo, Ford Credit, Omnitel Vodafone, grupi financiar BME, Banka Popullore Puljese, e shumë e shumë të tjera. Tentativa më e madhe e mashtrimit ishte ajo e përfitimit të një financimi prej një milion e 355 mijë eurosh.