E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraburgimi, nevojat personale me orar të kufizuar

15/04/2005  TIRANË – Rregullorja që zbaton Ministria e Rendit Publik në komisariate me të paraburgosurit, bie në kundërshtim me atë që punon Ministria e Drejtësisë. Në këto kushte, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vërejtur se, edhe të dënuarit që gjenden në komisariate janë të detyruar të qëndrojnë dhe të zbatojnë rregullat e rendit, pavarësisht se ato nuk i përgjigjen të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Ashtu si të dënuarit, dhe të paraburgosurit kanë të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë kohës së qëndrimit në komisariate. Por shpesh këto të drejta u janë mohuar, madje, në mënyrë të përsëritur. Dje për këtë pikë shumë të diskutuar u mbajt një tryezë me përfaqësues të Ministrisë së Rendit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Burgjeve. Disa nga problemet që u konstatuan janë higjiena personale e të paraburgosurve.

Një tjetër pikë shumë e diskutueshme është edhe mungesa e dispozitave në rregullore, lidhur me garantimin e cilësisë së ushqimit dhe kontrolli i kushteve higjieno-sanitare në dhomat e paraburgimit, si rrjedhojë e orarit të kufizuar për të paraburgosur, për të kryer nevojat e tyre personale. Mungesa e dispozitave që garantojnë një shërbim shëndetësor 24 orë, ashtu siç e parashikon ligji nr.8328, datë 16.4.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim". Edhe ndalimi i literaturës fetare në paraburgim përbën shkelje të ligjit, u tha dje në takim. Mungesa e rregullimeve nënligjore për të mundësuar një trajtim të veçantë për të paraburgosurit e mitur dhe ato gra. Pas diskutimeve të shumta, u kërkua shfuqizimi i kësaj rregulloreje, për t'i hapur rrugë të drejtave të paraburgosurve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›