Dëshira Noka, gjykata i komunikon akuzën
15/04/2005 TIRANË – Fillimisht është treguar e qetë. Nuk ka reaguar jashtë sallës së gjyqit, duke mos dashur të ketë konflikte me policinë. Por para Gjykatës së Shkallës së Parë, ku është paraqitur për t’u njohur me akuzën e vrasjes së burrit dhe provat që ekzistonin kundër saj, ka bërë të fortën. Në fytyrë kishte të theksuara shenjat e djegies me vaj, nga një bashkëvuajtëse në burg. Ka ngritur zërin Dëshira Noka, kur i është thënë se kishte vrarë me paramendim burrin e saj katër vite më parë dhe e ka varrosur në oborrin e shtëpisë. Nuk ka pranuar asgjë. I ka thënë gjykatës se gjithçka është një lojë e thurur nga të afërmit e burrit, të cilin ajo pretendon se ka vite pa e parë. Dëshira Nokës iu komunikua dje nga gjykata akuza e vrasjes së burrit të saj, Avdi Noka, në prill të vitit 2001. Ata që kanë dërguar për herë të dytë në prangat e policisë Nokën, janë djemtë e saj. Prej katër vitesh, fëmijët e të dënuarës për një vepër tjetër penale, e kanë mbajtur të fshehtë tragjedinë e prindërve. Në dosjen e sjellë nga prokurori i çështjes gjendeshin pohimet e djemve të Dëshira Nokës, të cilët ajo dje i ka quajtur të mësuar nga xhaxhai. Dëshira është shprehur se nuk ka frikë nga askush, edhe pse është në burg. E dënuara Dëshira Noka, tashmë është dërguar në paraburgim me akuzën e vrasjes me paramendim. Xhelozia që ka ekzistuar midis çiftit, bëri që Dëshira Noka të kryente aktin barbar. Të transferuar nga një fshat i Durrësit në Laprakë, çifti bënte jetë jo normale. Kështu, bashkëshortja, sipas akuzës, një natë prilli vendos të vrasë bashkëshortin e më pas ta varrosë në oborrin e shtëpisë. Të gjithë ngjarjen e ka parë djali i madh i familjes, i cili do të thirret për të dhënë dëshminë e tij para gjykatës. Pas dhënies së vendimit me burg pa afat, Noka u shoqërua në repartin 313 të burgut të Tiranës. Avokati i caktuar kryesisht nga gjykata, nuk ka patur argumente bindëse për të ndryshuar vendimin. Megjithëse kërkesa e prokurorit ishte për ta lënë Dëshira Nokën, marrë në cilësinë e të pandehurës në burg pa afat.