Dy fshatra në konflikt për pronat, banorët në protestë
SHKODËR- Konfliktet për pronat tani përfshijnë jo vetëm familjet njëran me tjetrën, por edhe fshatra të tërë. E tillë është situata në zonën e Vaut të Dejës ku konflikti mes dy fshatrave për tokën është acaruar dhe ende nuk ka marrë asnjë zgjidhje ligjore. Banorët e fshatit Naraç në Bashkinë e Vaut të Dejës janë në konflikt me banorët e fshatit Hajmel. Problemet e lindura prej 20 vitesh kanë bërë që banorët e Naraçit të dalin dhe të protestojnë në rrugë. Ata kanë ndërmarrë këtë veprim paraditen e së mërkurës për të sensibilizuar institucionet shtetërore dhe për të parandaluar ndonjë konflikt të rëndë. Rreth 100 banorë të zonës së Naraçit kanë dalë në protestë duke bllokuar rrugën kryesore që lidh fshatin me rrugën nacionale në orët e paradites të së mërkurës. Njëri nga protestuesit, Gjovalin Shtjefni tregon: "Në fshatin tonë toka është ndarë sipas ligjit të shtetit shqiptarë në bazë të ligjit 7501. Ndërkohë banorët e fshatit Hajmel në mënyrë absurde kanë marrë me forcë këtë tokë dhe e shfrytëzojnë atë prej kaq vitesh. Ne jemi këtu sot për të sensibilizuar të gjithë institucionet dhe për të ngritur zërin ndaj kësaj pa drejtësie që na bëhet ne", pohon kështu Shtjefni. Sipas tij, banorët i bëjnë thirrje shtetit të ndërhyjë dhe të mos bëhet shkaktar për zhvillime të mëtejshme apo edhe thellimin e konflikteve. "Ne jemi këtu pa tokë. As me ligjin e vjetër dhe as me të riun ne nuk përfitojmë. Me se duhet të jetojmë ne?", - vazhdon të flasë në emër të banorëve, Shtjefni. Banorët e përfshirë në protestë nuk ngurojnë të kërcënojnë se ata do të përdorin të gjitha mjetet për të nxjerrë në dritë të drejtën e tyre. "Ne kështu nuk mund të jetojmë. E kuptoni që nuk kemi me çfarë të jetojmë. Një zgjidhje do ta gjejmë. Por po kërkojmë një herë ndihmën e shtetit", - vazh dojnë të deklarojnë protestuesit. "Duke qenë se shteti nuk po zbaton ligjet e tij, nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse me marrë armët dhe të lirojmë tokat tona që na i kanë zënë padrejtësisht", pohon një tjetër protestues. Sipas banorëve ata nuk duan viktima pasi nuk duan që numrit të të vrarëve për tokën t'u shtohen dhe banorë të kësaj zone. Institucioni i Prefektit nga ana tjetër ka pohuar se është vënë në dijeni të këtij problemi dhe ka nisur të punojë për të parë nga afër të gjithë situatën dhe për të gjetur zgjidhjen e duhur.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)