E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshtetësia greke për të huajt, Greqia shtrëngon procedurat

Ashtu siç pritej, qeveria greke e Antonis Samaras paralajmëroi shtrëngimin e procedurave për marrjen e shtetësisë greke nga të huajt, që jetojnë në Greqi, duke bërë ndryshime thelbësore në ligjin aktual, i njohur si ligji "Ragousi" (emri i ish-ministrit të Brendshëm të PASOK, që hartoi ligjin).

“Shtrëngimi i procedurave për marrjen e shtetësisë greke nga të huajt, që jetojnë përgjithmonë dhe ligjërisht në Greqi, është një prioritet i lartë i qeverisë greke”, deklaroi ministri i Brendshëm Euripidis Stilianidis, në një takim me gazetarët dje pasdite.

*Një nga kriteret kryesore për aplikimin për shtetësinë greke, që ishte qëndrimi i përhershëm dhe ligjor prej 7 vjetësh në Greqi, do të ndryshojë dhe kohëqëndrimi do të rritet në 10 vjet. 

*Që fëmijët e të huajve të lindur në Greqi, të marrin shtetësinë greke do të duhet që prindërit e tyre, nga 5 vjet që ishte me ligjin aktual, të kenë 8 vjet qëndrimi në Greqi dhe, së dyti, fëmija të zgjedhë nëse dëshiron nënshtetësinë greke, vetëm kur të bëhet 18 vjeç. 

*Qeveria do të shqyrtojë mundësinë e dhënies së shtetësisë greke automatikisht për fëmijët e të huajve që studiojnë në Universitetet greke, për arsye se kjo dëshmon që ata e dinë gjuhën greke dhe njohin kulturën greke. 

*Kushtet e tjera për marrjen e nënshtetësisë greke, që kandidatët për nënshtetësi të mos jenë të dënuar etj, nuk pritet të ndryshojnë dukshëm. 

Ndryshimet në ligjin për shtetësinë ishin paralajmëruar që kur partia Demokracia e re ishte në opozitë. Rreth dy vjet më parë kreu i atëhershëm i opozitës Antonis Samaras deklaroi se kur të vinte në pushtet, do të ndryshonte ligjin për shtetësinë dhe këtë e rikonfirmoi edhe gjatë shpalljes në parlament të programit të qeverisë së tij. 

Për ndryshimet në ligjin e shtetësisë “Demokracia e re”, do të ketë në parlament mbështetjen e partisë “Grekët e Pavarur”, kreu i së cilës deklaroi para disa ditësh se do të kërkojë jo ndryshimin, por tërheqjen e ligjit "Ragousi" si dhe votat e neonazistëve të “Agimit të Artë”, ndërkohë që ligji i miratuar para dy vjetëve mban vulën e qeverisë së PASOK. 

Nga ndryshimet në ligjin e shtetësisë preken edhe emigrantët shqiptarë, që kanë nisur procedurat për marrjen e shtetësisë greke ose ata që dëshirojnë t’i nisin ato, edhe pse nuk është ende e qartë çfarë do të bëhet me personat që kanë aplikuar dhe janë në pritje për marrjen e nënshtetësisë. 

Viti 2010, deklarata e liderit të opozitës, Antonis Samaras
Një muaj pasi ligji për dhënien e shtetësisë për emigrantët filloi të zbatohej në Greqi, Antonis Samaras në cilësinë e kryetarit të opozitës greke, iu rikthye sërish me tone të ashpra platformës së partisë së tij për emigracionin, e cila në shikim të parë presupozon asimilimin e emigrantëve që duan të integrohen në shoqërinë greke.

Samaras kërkoi që integrimi i emigrantëve të bëhet gradualisht, aq sa mund të durojë shoqëria greke. “Jemi të detyruar që ta ndryshojmë ligjin e PASOK, kur “Demokracia e Re” të marrë pushtetin dhe angazhohemi qartë për këtë. Fëmijët e emigrantëve të ligjshëm që lindin në Greqi, do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë, kur të arrijnë moshën madhore, por që ta ushtrojnë këtë të drejtë, do të duhet të zgjedhin ndërmjet nënshtetësisë greke dhe nënshtetësisë së vendit të prindërve të tyre. Ata duhet të kenë kryer arsimin nëntëvjeçar, që është i detyrueshëm edhe për grekët. Nëse fëmijët që duan nënshtetësinë, zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem”, ka deklaruar Samaras.

Sipas ligjit të miratuar nga qeveria e PASOK, të gjithë emigrantët që kanë ardhur në Greqi në mënyrë të ligjshme që nga viti 2001, përfitojnë të drejtën për t’u bërë qytetarë të përjetshëm në tokën greke.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›