Dy gërmadha mes qytetit, banorët e Bulqizës peticion për shembje
BULQIZE - Të paktën 100 firma kanë grumbulluar banorët e Bulqizës në një peticion që ata i kanë drejtuar Këshillit Bashkiak të këtij qytetit. Shembja prej një viti e shkollës 9-vjeçare në hyrje të qytetit dhe pallatit në Qytetin e Ri të Bulqizës, janë kthyer në shqetësim për banorët, sidomos për fëmijët që duke mos pasur parasysh pasojat, luajnë në mjediset e tyre. “Prej dy vitesh kemi kërkuar nga Këshilli Bashkiak dhe strukturat e tjera të shtetit të marrin masa për shembjen e dy objekteve, të cilat jo vetëm nuk shërbejnë për asgjë tjetër, por ato janë burim rreziku për jetën e njerëzve. Kërkojmë që këshilli t’u kërkojë dikastereve që objektet të rrafshohen, pasi ato po shëmtojnë keq edhe qytetin”, thuhet në letrën e banorëve të lagjeve “Minatori” e “Gjeologu”. Peticioni ka mbërritur në zyrat e administratës së bashkisë dhe pritet që në mbledhjen e radhës të shqyrtohet. Specialistë të ndërtimeve në këtë njësi vendore sqarojnë se shembja e shkollës ishte parashikuar që vitin e kaluar nga bashkia e qytetit, por fillimisht duhet një vendim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që objekti të eliminohet. Pak ditë më parë, një person u plagos rëndë, pasi një pjesë e murit u shemb mbi trupin e tij. Ndërsa në lidhje me pallatin në Qytetin e Ri të Bulqizës pohohet se është Ministria e Ekonomisë ajo që duhet të vendosë me ekzistencën e tij apo jo. Në janar të vitit të kaluar në këtë pallat banonin 15 familje, mirëpo shembja e një pjese të tij detyroi policinë lokale të merrte masa për largimin e tyre me forcë. Që atëherë pallati qëndron si gërmadhë në hyrje të kësaj lagjeje. h.p