E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy gjyshër trokasin në “Rudina Magjistari-Misioni

Vazhdon” për të njohur nipin e tyre që s’e kanë parë kurrë. Ndiqni historinë, sonte në orën 21:00, në Vizion Plus

Edhe nata e së shtunës së datës 21 nëntor shënoi një tjetër sukses në kurorëzimin e rasteve që u trajtuan në studion e programit “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”, në Vizion Plus. E karakterizuar herë nga lot gëzimi e herë nga lot trishtimi, nata e gjashtë e programit social pati në qendër histori të personave që kishin humbur kontaktet me njëri-tjetrin prej vitesh, përplasje të fateve që mund të marrë rrjedha e jetës së gjithsecilit prej nesh, si dhe gra që merren gjatë gjithë kohës me punë dhe harrojnë të kujdesen për veten e tyre. Historia e parë i përkiste një familjeje nga Durrësi që donte të lidhte kontakte me vajzën e tyre të birësuar, Entela Agasi. Entela kishte lindur në datën 9 shkurt të vitit 1987. Deri në moshën 5-vjeçare, ajo jetoi me prindërit si dhe me motrat e vëllezërit e saj. Në vitin 1992, në Shqipëri erdhi një familje italiane që interesohej të birësonte një fëmijë. Një e afërme e familjes Agasi i sugjeron dy prindërve të Entelës ta adoptonin këtë të fundit pasi kishin 10 fëmijë. Në datën 13 mars të vitit 1992 zhvillohet gjyqi i dytë në Gjykatën e Tiranës. Në këtë seancë, Entela shndërrohet përfundimisht si vajza e ligjshme e familjes italiane, Andrea Londi dhe Ivana Presoto nga Firence. Falë kërkimeve intensive nga ana e korrespondentëve të programit, rrethi i kërkimeve filloi të ngushtohej te një familje italiane, e cila kishte birësuar një vajzë shqiptare dhe që aktualisht të gjithë së bashku jetonin në Empoli. Në fakt, përballja me këtë familje ishte tejet e vështirë. Në dy kontaktet e vetme telefonike që stafi i “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” realizoi me nënën birësuese dhe me vajzën tashmë 21-vjeçare, e cila mbante identitetin Entela Londi, përballja ndërmet tyre qe e vështirë. Biseda nga ana e znj. Ivana dhe Entelës u karakterizua nga shenja të theksuara nervozizmi. Pyetjes së thjeshtë nëse donte të kontaktonte apo jo me familjen e saj biologjike, Entela iu përgjigj: jo. Një reagim që familja Agasi edhe mund ta imagjinonte, por që u shkaktoi atyre një emocion të fortë sepse vetë vajza që mbartte gjakun e tyre po i refuzonte. Historia e Nikolla Zhongës, i cili ishte larguar drejt Italisë në mars të vitit 1991, u rikthye edhe një herë në fokusin e kërkimeve të programit të Rudina Magjistarit, por tashmë me një zgjidhje përfundimtare. Nëna dhe vëllai i Nikollës patën mundësinë që pas 18 vitesh, në mënyrë ekskluzive, të shikonin një video përshëndetëse të vetë Nikollës nga qyteti i Katanias, Siçili. Në video, ai permendte me radhë të gjithë pjesëtarët e familjes, mallin që ndiente për ta, vështirësitë që kishte kaluar në shtetin italian, fliste për punën dhe shëndetin e tij, shoqërinë e re me të cilën kishte kaluar kohën më të madhe të viteve të emigracionit dhe pamundësinë për të qenë pranë familjes në çastet e gëzimit apo të hidhërimit në vitet që kishin kaluar. Në fund të përshëndetjes, Nikolla premtoi publikisht se sapo t`i jepej mundësia do të rikthehej te prindërit e tij në Shqipëri. Tri gra të profesioneve të ndryshme, tri histori, tri familje dhe tre mesazhe që në themel kishin përkujdesin dhe respektin ndaj vetes. Rubrika “Transformime”, që ka kurorëzuar një sukses të menjëhershëm, kishte protagoniste tri gra që punonin si sanitare, mësuese e okuliste. Rutina e përditshme, aktivitetet e ngjeshura sa në punë, në shtëpi e në familje me fëmijët, kishin bërë që këto gra të harronin paksa veten e tyre dhe t`iu përkushtoheshin gjërave që kishin marrë përparësi në jetën e tyre. Por falë përkujdesit maksimal nga qendra estetike “Velur Spa & Relaks” dhe stilisteve më në zë në Shqipëri, Rezarta Skifteri, Anila Konomi dhe Mimi Memiaj, të cilat stiluan nga një veshje për secilën prej tyre, këto gra për një ditë të plotë iu përkushtuan vetes së tyre. Në programin e së shtunës, ato erdhën të transformuara me një paraqitje që i kishte rikthyer shkëlqimin e kujdesin ndaj vetes. Familjarët e tyre, të pranishëm në ato momente në studio, përjetuan live të gjithë atmosferën e krijuar prej tri zonjave. Javë më parë, Mario 8-vjeçar nga fshati Hamall i Durrësit erdhi në studion e programit të Rudina Magjistarit, pasi kanceri e kishte prekur atë në shtyllën kurrizore. Të gjashta ciklet e kimioterapisë ishin realizuar me borxhe, nga të cilat familja nuk kishte shlyer as 1/3, ndërkohë që kushtet në të cilat jetonte ishin të mjerueshme. Gjatë bisedës së realizuar atë natë me ministren e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, ajo premtoi nga ana e saj sigurimin e kushteve të realizimit të kimioterapisë për kurimin e Marios, ndërsa stafi ka qenë i kujdesshëm për të ndjekur hap pas hapi rifillimin e cikleve të kimioterapisë. Pas interesimeve në Repartin e Onkohematologjisë, në Pediatrinë e Tiranës, Rudina Magjistari vendosi t`i bëjë një vizitë surprizë Marios, i cili atë ditë kishte ciklin e radhës. Në shikim të parë vihej re se Mario kishte ndryshuar. Në fytyrën e tij kishte jetë dhe që nga dita e transmetimit të historisë kura për të luftuar sëmundjen e tij po merrej sistematikisht. Një lajm i mirë, jo vetëm për familjen, por mbi të gjitha për vetë Marion, i cili filloi të ëndërronte sërish si të gjithë moshatarët dhe jo të vuante fatkeqësinë që i kishte rënë mbi krye 1 vit e gjysmë më parë. Sonte në programin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”, në Vizion Plus, do të përjetoni histori të forta, që do të transmetojnë një mesazh të fuqishëm të sensibilizimit njerëzor. Shumë histori që presin të dëgjohen dhe ndihmohen nga ju, sonte në orën 21:00, në ekranin e Vizion Plus.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›