E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e Bardhë, aktivitetet e Bashkisë së Tiranës për këtë festë



Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh me rastin e festës së Natës së Bardhë. Aktivitetet që do të organizohen në Natën e Bardhë në kryeqytet do të shoqërohen edhe me kufizim të lëvizjeve të automjeteve si dhe me ndalim parkimi në sheshet kryesore të Tiranës. Policia e Tiranës i ka dhënë leje Bashkisë së Tiranës për të zhvilluar aktivitetet që janë përcaktuar për t’u zhvilluar me rastin e Natës së Bardhë. Policia e qarkut të Tiranës, me synim sigurimin e rendit dhe të qetësisë gjatë zhvillimit normal të këtij aktiviteti, do të bllokojë disa nga akset kryesore të kryeqytetit. Kështu në sheshin “Skënderbej”, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza”, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nuk do të lejohen të lëvizin automjetet duke filluar nga ora 17.00 e ditës së sotme deri në orën 23.00. Pas orës 15.00 të ditës së sotme do të ndalohet parkimi i automjeteve. Siparin e aktiviteteve do ta hapë banda e qytetit, në orën 16:00. Më pas, në orën 17:00, Bashkia e Tiranës do të hapë dyert për qytetarët, duke pritur vizita prej tyre. Më tej do të vijojnë aktivitetet e ndryshme për fëmijë, si dhe një aktivitet për veteranët e luftës. Ndërsa risia e kësaj nate, që janë garat që do të zhvillohen në bashkëpunim me “Rally Albania”, do të nisin në orën 19:00 dhe do të zgjasin deri në mesnatë, pasi do të zhvillohen në katër kategori të ndryshme. Pasi të gjitha garat të jenë mbaruar dhe të kenë dalë fituesit, në orën 22:30-23:00 do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve. Në podiumin e ceremonisë do të ketë ndërkohë koncert me grupe rock dhe një ekran projektimi të madh në të cilin do të shfaqen pamjet live të garës dhe më pas koncerti.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›