Në Ditën e Pavarësisë, Presidenti lëshon mesazhe për zgjedhjet
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shtruar dje një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e Festës së Pavarësisë, 28 Nëntorin. Të pranishëm në këtë ceremoni festive ishin krerët më të lartë të shtetit, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, drejtues të mediave, përfaqësues të komuniteteve fetare, deputetë, ambasadorë, si dhe personalitete të ndryshme shqiptare dhe të huaja. Pas nderimit të Himnit Kombëtar, Presidenti Topi u është drejtuar të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse. Ndërsa ka uruar të gjithë shqiptarët për Festën e Flamurit, kreu i shtetit ka gjetur rastin të japë edhe mesazhe politike. Bamir Topi ka theksuar në fjalën e tij domosdoshmërinë e rritjes së përpjekjeve të shtetit shqiptar për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës. Ndërsa duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, ai theksoi si të nevojshëm thellimin e reformave demokratizuese, forcimin e shtetit ligjor dhe, mbi të gjitha, respektimin e pavarësisë institucionale. Kreu i shtetit është ndalur në sfidën e ardhshme të Shqipërisë, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Presidenti i cilësoi ato të një rëndësie të veçantë për proceset integruese të vendit në NATO dhe në BE, ndërsa kërkoi realizimin e tyre në një frymë gjithëpërfshirëse.
Zgjedhjet
“Shqipëria ndodhet përballë sfidave shumë të rëndësishme: zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe anëtarësimi i plotë në NATO. Suksesi i tyre lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e vendit tonë dhe me interesat e tij kombëtare afatgjata. Zgjedhjet politike të vitit 2009 janë prova më e madhe e demokracisë, e pluralizmit politik dhe e integrimit të Shqipërisë. Demokracia e vërtetë shprehet në pasqyrimin real të votës dhe të vullnetit të lirë të zgjedhësve”, - është shprehur Topi. Ai vuri theksin në domosdoshmërinë e përgatitjes me transparencë të procesit zgjedhor dhe respektimit të Kodit të Etikës gjatë fushatës zgjedhore. “Përgatitja e infrastrukturës bashkëkohore zgjedhore në kohë, me cilësinë dhe transparencën e duhur, është një nga hallkat kryesore të zinxhirit të procesit zgjedhor. Duke nxjerrë mësime nga përvoja e hidhur e deritanishme e kontestimit të rezultatit zgjedhor dhe deformimeve të mundshme në situata të tilla, fryma e respektimit të Kodit Zgjedhor duhet të jetë politikisht konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Etika politike dhe transparenca elektorale, të detyrueshme për t’u respektuar, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, do të jepnin garanci të qëndrueshme për zgjedhje të standardeve demokratike dhe nxitje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votime”, - është shprehur Presidenti. Ai ka konfirmuar vullnetin e tij në mbështetje të reformave demokratizuese për vendin. Topi theksoi edhe nevojën e respektimit të pavarësisë së institucioneve si kusht për proceset integruese të vendit. “Qëllimi i Shqipërisë për t'u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian është detyrues dhe përkushtues. Arritja e këtij qëllimi kalon nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe forcimit të konceptit demokratik të respektit institucional në marrëdhëniet midis institucioneve të shtetit, parim bazë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ajo konsolidon pavarësinë e ndërsjellë institucionale si shprehje e rëndësishme e qëndrueshmërisë së vlerave demokratike dhe e funksionimit të shtetit ligjor në shoqërinë shqiptare”, - është shprehur Topi.
Kosova
Një vend të rëndësishëm në fjalën e tij, Presidenti Topi ia rezervoi pavarësisë së Kosovës duke kërkuar mbrojtjen e saj nga qeveria shqiptare. “Kosova fitoi pavarësinë e saj pas një kalvari të gjatë dhimbjesh e mundimesh e po përpiqet ta mbrojë atë ashtu siç u përpoqën të mbronin pavarësinë e vitit 1912 anëtarët e parë të Qeverisë së Vlorës. Por kohët kanë ndryshuar shumë dhe Kosova nuk është vetëm. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen për pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jemi të vendosur në përpjekjet tona për njohjen ndërkombëtare të saj. Kosova ka aleatë të rëndësishëm, të cilët, ashtu siç e përkrahën pavarësinë e saj dhe e njohën atë, ashtu edhe nuk do të lejojnë që sovraniteti i saj të cënohet”, - është shprehur Topi. Më tej, kreu i shtetit ka nderuar veprën e Ismail Qemalit si dhe uroi të pranishmit për Festën e Pavarësisë.
29 Nentor 2008