E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Milot”, arrestohen 15 trafikantë të narkotikëve në linjën “Bullgari-Shqipëri-Itali”



15 të arrestuar është bilanci i një operacioni kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, llojit heroinë mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Italisë. Operacioni është koduar “Milot” dhe urdhër-arrestet janë prerë nga prokurori i Prokurorisë së Milanos, S. Petromer. Mediat italiane raportojnë se të arrestuarit janë të moshës 22 - 42 vjeç. Hetimet kanë zgjatur një vit dhe prokuroria e autoritetet e Drejtësisë kanë bashkëpunuar dhe me Prokurorinë e Antimafias. Gjatë kësaj kohe policia italiane kishte sekuestruar 90 kg heroinë e tipit “roun sugar”, 77 kg heroinë gati për shpërndarje dhe një pistoletë.

Duro takon ambasadorin spanjoll, i kërkon mbështetje në fushën e punësimit

Ministri i Punës, Anastas Duro, takoi dje ambasadorin spanjoll nga i cili ka kërkuar mbështetje në fushën e punësimit. Kërkesës së ministrit Duro për fillimin e negociatave me Spanjën për hartimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e punësimit dhe të mbrojtjes sociale të emigrantëve, ambasadori iu përgjigj pozitivisht dhe garantoi se do të vërë në dijeni për kërkesën institucionet përgjegjëse të qeverisë spanjolle.
Në kuadër të takimeve që Ministri i Punës, Anastas Duro, po zhvillon me përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri, për të siguruar konsolidimin e bashkëpunimit me ta në fusha të veçanta dhe zgjerimin e tij edhe në fusha të tjera, dje ai zhvilloi një takim me ambasadorin spanjoll në Tiranë, Manuel Montobbio. Në qendër të bisedës së dy bashkëbiseduesve ishte niveli aktual i bashkëpunimit, evidentimi i problematikës dhe shtrirja dhe forcimi bashkëpunimit në të ardhmen.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›