E Diel, 1 Nëntor 2026

Për tapinë bllokon i vetëm rrugën nacionale

 

KUKES – Një banor i fshatit Morin bllokon një krah të rrugës nacionale, në afërsi të fshatit Morin. Rexhep Sylaj, 65 vjeç, e ka gjetur këtë si zgjidhje për të protestuar mbi faktin se nuk po i jepet tapia e tokës dhe ai të ketë mundësi të marrë kompensimin mbi pronën ku po ndërtohet rruga. Ai ka vendosur gurë dhe për 1 orë ka qëndruar në rrugë. Sipas Sylajt, ky problem i tij nuk po gjen zgjidhje. Ai thotë se për këtë problem ka vënë në dijeni dhe kryeministrin, por ndonëse është ngarkuar Ministria e Transporteve për zgjidhjen e këtij problemi, kjo nuk ka ndodhur ende. Peripecitë e familjes Sylaj kanë nisur prej viteve të para pas çlirimit. Familja e tij nxirret nga shtëpia në Morin në afërsi të vijës së kufirit me Kosovën në vitin 1948, pasi shteti i asaj kohe do ta kthente banesën në repart ushtarak. Babai i tij, Hamzai, pas strehimit në një bodrum në fshat sëmuret dhe vdes brenda pak kohe. Tre muaj pas dëbimit lind Rexhepi, i cili shumë shpejt mbetet edhe pa nënë dhe rritet në fshatin Oriçkël. Ndarja e tokave bujqësore në vitet ‘90 nuk i njeh pronësi Rexhepit në fshatin Morin, pasi në themel të këtij ligjit 7501 qëndron kërkesa sipas të cilës çdo aplikim merret për bazë vetëm sipas gjendjes civile të vitit 1991. Sot, Rexhep Sylaj kërkon i vetëm të drejtën që ai pretendon se e ka, duke kërkuar të përfitojë nga kompensimi i pronave ku kalon sot rruga e re Durrës-Morin.                 j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›