Sarandë, masa sigurie në plazhe
SARANDE – Shtohen masat e sigurisë dhe qetësisë në plazhin e Sarandës, ndërsa shtohen dita-ditës pushuesit vendas e të huaj. Drejtori i Policisë Bashkiake, Remzi Bani, pohon për gazetën se në bashkëpunim edhe me firmat private është bëër sistemi i plazheve e mbushja e tyre me rërë. Për sezonin veror të këtij viti janë pasur parasysh edhe disa probleme që u hasën vitin e kaluar, si pastrimi i plazheve nga mbeturinat që vetë plazhistët hedhin përgjatë ditës, përdorimi pa kriter i shezlongëve e çadrave, përdorimi i zhurmave akustike tej normave të lejuara, etj. Një numër telefoni në Policinë Bashkiake është në funksion non stop, për gjithë kërkesat dhe ankesat që vijnë nga qytetarët për arsye të ndryshme. Në plazhe gjatë gjithë ditës ka patrullë policie, ndërsa në plazhin e Centralit dhe te plazhi i Ri funksionojnë edhe skuadrat e sigurimit dhe shpëtimit në rast nevoje. Në këtë sezon veror janë vendosur edhe kufizuesit e largësive deri në 50 m nga bregu të sinjalizimeve dhe të përdorimit të xhetskive larg vendit ku notojnë pushuesit. Në Sarandë kanë mbërritur deri tani shumë pushues nga vendet fqinje dhe turistë të huaj. sh.d