Panik në Seman, deti sjell në breg nëntë peshkaqenë
FIER / MAJLINDA RAMA
Panik në bregdetin e Semanit, pasi dje në breg dolën 9 peshkaqenë të vegjël të ngordhur. Ngjarja e pazakontë ka alarmuar jo vetëm pushuesit e peshkatarët, por edhe specialistët, të cilët ende nuk janë në gjendje të japin një rezultat për shkakun e kësaj dukurie të rrallë për bregdetin tonë. Ishin orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur pushuesit gjetën në breg 9 speciet e detit me ngjyrë të bardhë në gri, të cilat ishin thuajse të një peshe, rreth 7 kilogramë dhe me gjatësi rreth 40 cm secili. Të alarmuar, plazhistët kanë thirrur disa peshkatarë, të cilët kishin hedhur rrjetat jo larg vendit ku ndodheshin peshkaqenët e ngordhur. “Unë kam vite që merrem me peshkimin dhe nuk kam rastisur të shoh kaq shumë peshkaqenë bashkë. As rrjetat nuk na kanë kapur ndonjëherë një sasi të tillë. Mendoj se këto specie janë sjellë nga turbulencat e ujit këtu, por ato mund të kenë ngordhur diku më larg”, u shpreh Jorgji Stani, një peshkatar i vjetër i zonës. Disa peshkatarë të tjerë, të cilët nuk ishin në gjendje të përcaktonin llojin e këtij peshkaqeni, aluduan se shkak i ngordhjes masive mund të ketë qenë ndonjë sulm me dinamit. Ndërsa të tjerë hodhën idenë se peshkaqenët, të cilët ishin vetëm rreth 2 muajsh, mund të kishin ngordhur për shkak të mungesës së ushqimit në det. Përballë rastit të djeshëm, në plazh është përhapur panik. Pushuesit shprehën frikën se këto specie të rrezikshme mund të jenë të pranishme afër bregut, çka rrezikon jetën e plazhistëve.
“Më tepër se sa dita e sotme frika qëndron tek numri i atyre që ende nuk dihet se sa janë. Edhe pse madhësia e 9 peshkaqenëve të gjetur nuk është për burim frike, ne prapë jemi të trembur”, u shpreh Nexhmie Saliaj, e cila dje pushonte në brigjet e Semanit.
Kanë qenë të shumta rastet kur specie të tilla shfaqen krejt papritur, ndërsa ende nuk dihet origjina dhe prejardhja e tyre. Edhe specialistët kanë ngritur shumë pikëpyetje mbi faktin e daljes së herëpashershme të peshkaqenëve. Sipas tyre deri tani ende nuk është e mundur të shpjegohet tendenca e tyre për të populluar zonat e plazheve tona, kur vite më parë këto gjallesa ishin të panjohura. Peshkaqenët e ngordhur u morën dje nga disa specialistë, të cilët do të kryejnë në laboratoret e tyre disa analiza jo vetëm për të përcaktuar llojin dhe prejardhjen e këtyre gjallesave, por edhe shkakun e ngordhjes masive.