E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy herë në javë gjyq për bandën e Durrësit

12/12/2008  Nga 54 seanca, vetëm 2 prej tyre janë zhvilluar normalisht, të tjerat janë shtyrë

TIRANË- Amullisë së krijuar gjatë procesit ndoshta më të vështirë gjyqësor deri në ditët e sotme rreth bandës së famshme të Durrësit, Gjykata për Krime të Rënda iu kundërpërgjigj me një vendim, sipas së cilit, tashmë gjyqet do të zhvillohen dy herë në javë dhe do të merren masa nëse mungojnë avokatët. Ndërkaq, që nga korriku i vitit 2007 janë zhvilluar gjithsej 54 seanca gjyqësore. Por fatkeqësisht gjykata jep shifrën më të vogël të zhvillimit normal të seancave. Nga 54 seanca gjyqësore të caktuara nga gjykata vetëm 2 janë zhvilluar rregullisht të tjerat janë shtyrë për mungesë të avokatëve mbrojtës. Gjykata herë pas here ka bërë apel për paraqitjen e avokatëve në gjyq dhe zhvillimin normal të tyre. Por deri tani asgjë nuk ka rezultuar pozitive. Reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Situata e krijuar me bandën e Durrësit ku protagonist në proces është Lulzim Berisha dhe shokët e tij të grupit, bindën trupin gjykues të ndryshoi strategji.

Seanca e djeshme

Gjykata dje vendosi që procesi gjyqësor ndaj bandës së Durrësit të zhvillohet dy herë në javë. Vetëm në këtë mënyrë sipas gjykatës do të shmangen zgjatjet e afateve dhe mendohet të ndërgjegjësohen avokatët mbrojtës. Vazhdimin e proceseve gjyqësore pa ndërprerje e ka kërkuar edhe Kryeprokurorja. Disa ditë më parë ajo u shpreh se gjykata zvarrit proceset gjyqësore. Lul Berisha dhe shokët e tjerë të grupit që ai ka drejtuar ndodhen në gjyq që prej vitit 2007. Akuzohen për disa vepra të rënda penale të kryera në qytetin e Durrësit. Në këtë bandë ndodhet edhe i penduari Adriatik Coli, i cili ka treguar gjithë mënyrën se si ishte i organizuar grupi dhe si rekrutoheshin persona të jashtëm për të kryer vrasje me pagesë.

Lul Berisha

Kapobanda e Durrësit, Lulëzim Berisha, është rrëzuar dy muaj më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sandër Simoni nuk mori parasysh kërkesën e tij për të përjashtuar trupin gjykues, duke pretenduar se nuk ka bazë ligjore. Lulëzim Berisha ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, me pretekstin se në gjykim po bëhej padrejtësi ndaj tij duke marrë prova të njëanshme dhe duke mos pranuar asnjë prej provave të sjella nga avokatët.

CD-ja me fjalimet e politikanëve

Vetëm pak kohë më parë Lulëzim Berisha së bashku me avokatët e tij braktisën sallën e gjyqit, për shkak se nuk u pranua kërkesa për të sjellë si dëshmitarë disa emra politikanësh dhe një CD, e cila ka brenda fjalime të politikanëve. Berisha është shprehur se me anë të këtyre fjalimeve do të vërtetojë se çështja kundër tij është e politizuar dhe se ai ndodhet në bankën e të akuzuarve vetëm sepse është përgojuar nga politika. Berisha akuzohet se ka kryer disa vrasje në emër të grupit të tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›