E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB kap policin, shpërndante drogë në burg

12/12/2008  Porosia e drogës të vjen në qeli

LEZHE- Një polic burgu, i piketuar si shpërndarës droge nëpër qeli, u kap dje nga kolegët e SHKB-së, të cilët po e survejonin prej kohësh, pasi kishin marrë informacione nga të burgosurit për aktivitetin e tij. Kështu, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgun e Shënkollit në Lezhë ka arrestuar në mesnatë Marjan Gjonin. Gjoni ishte punonjës policie në burgun e Shënkollit dhe është kapur në flagrancë duke u tregtuar lëndë narkotike të burgosurve të këtij burgu. Burimet nga policia e Lezhës thanë se 36-vjeçari Marjan Gjoni është vënë nën hetim nga SHKB-ja e burgut të Shënkollit, nga Prokuroria dhe policia e qarkut të Lezhës me akuzën e prodhimit, kultivimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike. Ende nuk është sqaruar se çfarë lloj narkotiku u ka tregtuar të burgosurve punonjësi i policisë së burgut, ndërsa kanë nisur kontrollet edhe në banesën e tij. Mekanizmi i shpërndarjes së drogës ishte i thjeshtë. Të burgosurit porosisnin tek ai sasitë e kërkuara dhe lënda narkotike u mbërrinte në qeli. Futja e drogës në burg tashmë është kthyer në një fenomen shqetësues. Në muajin shkurt të këtij viti dy shtetas nga qyteti i Shkodrës, kishin fshehur drogën në një nga atletet që po ia çonin kunatit, Kujtim Barbullushi në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Ridvan Zaja dhe Sabri Kraja, nga qyteti i Shkodrës, janë arrestuar me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›