Dy herë në qeli për kanosje, vetëvaret 65-vjeçari
Luan Kondi
LEZHË – Një i moshuar i ka dhënë fund jetës në qelinë e paraburgimit një orë pasi ishte shoqëruar në polici pas kallëzimit të familjarëve për kanosje. Sipas njoftimit të Policisë së Lezhës, 65-vjeçari Gegë Gjoka i ka dhënë fund jetës tragjikisht rreth orës 02:30 të mëngjesit të djeshëm. Policia raporton se është duke hetuar rreth arsyeve që e shtynë të ndjerin drejt aktit fatal.
Ngjarja
Gege Gjoka, 65 vjeç, ishte shoqëruar në komisariat pas denoncimit të familjes se i moshuari po i kanoste me armë. Sipas uniformave blu, ai ishte shoqëruar në Komisariatin e Lezhës, rreth orës 01:30 të së mërkurës. Një orë më vonë policia e ka gjetur 65-vjeçarin të vetëvarur në qelinë e tij. Duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit në paraburgim, pasi ishin edhe orët e para të mëngjesit, i moshuari, i cili e provonte për të dytën herë ftohtësinë e qelisë, ka marrë vendimin fatal për jetën. Edhe më parë ai ishte ndaluar e më pas arrestuar për të njëjtën akuzë, atë të kanosjes, që duket se duhet të kenë qenë të njëjtët denoncues përderisa ai nuk e ka duruar dot më turpin, pra të ishte në qeli nga njerëzit e tij.
Hetimi
Gegë Gjoka kishte vetëm 24 orë që kishte dalë nga burgu, pasi kishte kryer dënimin prej 16 muajsh po për akuzën “e kanosjes”. Policia do të hetojë shkaqet që e nxitën 65-vjeçarin drejt vetëvrasjes. Pak ditë më parë një tjetër i paraburgosur u vetëvar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Korçës. Enver Mehmetalli u gjet i pajetë në qelinë tij, me çarçaf në grykë të cilin e kishte lidhur në kangjellat e dritares së qelisë. Viktima kishte shfrytëzuar momentin e ndërrimit të turnit të rojeve, ndërsa shoku i tij i dhomës kishte shkuar për të kryer nevojat personale. Mehmetalli ndodhej në dhomat e paraburgimit, në pritje të gjykimit të tij për marrëdhënie seksuale me një të mitur. 46 - vjeçari akuzohej se kishte abuzuar seksualisht mbesën e tij.
Tenton të vrasë veten për shkollën e humbur nga ngatërrimi i kodit të Maturës
SARANDË – Një adoleshente ka tentuar të hidhet nga kati i lartë i një pallati. Ajola Bajo, nga Saranda, pas një odiseje dymujore nga bankat e shkollës në zyrat e Drejtorisë Arsimore dhe denoncimit për ngatërrimin e kodit të saj me të një nxënësi tjetër për provimin e Letërsisë, duket se nuk ka gjetur mënyrë tjetër për të venë në vend drejtësinë. Sipas pretendimit të saj, ngatërrimi i kodit bëri që ajo të merrte notën e shokut tjetër të klasës dhe për provimet e tjera të mos merrte asnjë lloj përgjigje. 18 - vjeçarja e dëshpëruar ka vendosur t’i japë fund jetës së saj. Bajo ka tentuar të hidhet nga kati i 6-të i një pallati duke mos parë asnjë rrugëzgjidhje përballë faktit që mungesa e përgjigjeve për provimet e maturës i rrezikon asaj humbjen e të drejtës për vazhdimin e shkollës së lartë. Jo më pak se një muaj më parë Ajola 18-vjeçare vendosi ta bënte publik problemin e saj duke denoncuar për falsifikim të dokumenteve të saj. Në vendngjarje, bashkë me shumë njerëz të tjerë, ka mbërritur edhe kreu i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, i cili e ka bindur 18 - vjeçaren të zbresë duke premtuar zgjidhje të kërkesës së saj nga ana e Prokurorisë.
28 Gusht 2008