Shqiptarët, trafikantët kryesorë të heroinës në Zyrih
Zvicër - Një ekspert i Policisë Federale Zvicerane paralajmëron se grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për sigurinë atje pasi dominojnë trafikun dhe shpërndarjen e heroinës. Tre anëtarë të një familjeje kosovare po gjykohen në Zvicër pasi akuzohen se janë organizuesit e një ndër shitjeve më të mëdha të heroinës në Europë. Prokurorët thanë se babai 69-vjeçar dhe dy djemtë e tij 42 dhe 28 vjeç kishin bazat e tyre në Europën Lindore për të importuar 1.5 tonë heroinë, e cila u bllokua në kufi me Turqinë në gusht të vitit të kaluar. Sipas prokurorisë, “Klani ishte një ndër bandat kryesore të shpërndarjes së heroinës në Europën Perëndimore deri në mes të 1990-s”. Por avokatët mbrojtës përgënjeshtrojnë akuzat. Gjykata Federale Penale e Belinzonës pritet të marrë një vendim në fund të tetorit. Sipas Roger Flury, një ekspert i Policisë Federale në lidhje me trafikun e drogës sasia e bllokuar prej 1.5 tonësh drogë është mjaft sinjifikative. 1.500 kg drogë, kjo sasi konsumohet brenda një viti nga 20-50 për qind e përdoruesve të drogës në Zvicër, tha Flury për median zvicerane. Në raportin e Policisë Federale për Sigurinë në 2007-n thuhet se “organizatat kriminale nga Europa Juglindore” luajnë një “rol sinjifikativ” në Zvicër. Sipas zviceranëve, aktualisht trafiku i drogës ka tri linja. Një linjë (Afganistan- Pakistan/ Iran- Turqi- Bullgari- Rumani- Hungari). Një linjë e qendrës, rruga origjinale (Afganistan- Pakistan/Iran- Turqi- Bullgari- Maqedoni/ Serbi- Bosnjë Hercegovinë- Kroaci- Slloveni- Itali. Dhe linja e tretë jugore, Afganistan- Pakistan/Iran- Turqi- Bullgari- Maqedoni- Kosovë- Shqipëri- Itali. Llogaritet se rreth 100 tonë heroinë kalon çdo vit nga Europa Juglindore në atë Perëndimore, nga e cila 85 për qind kalon në treg. Vlera e saj shkon deri në 25-30 bilionë dollarë.
Arrestohen dy të rinjtë, kalonin kundrejt parave klandestinë në Greqi
GJIROKASTËR - Dy shtetas kanë rënë në pranga në akuzën e trafikimit klandestin të qenieve njerëzore. Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë te mundur arrestimin rreth orës 07:00 të mëngjesi të ditës djeshme të shtetasve Zeni Nasi, banues në Përmet, dhe Flerimond Sulka, banues në Skrapar. Një ditë më parë të dy të arrestuarit janë kapur në flagrancë në aksin rrugor Përmet-Çarshovë, duke ndihmuar në mënyrë të paligjshme 8 shtetas nga rrethe të ndryshme të vendit, për të kaluar kufirin shqiptar për në tokën greke, kundrejt fitimit prej 800 euro për person. Ata u shoqëruan në policinë e Gjirokastrës dhe pas marrjes në pyetje, policia i arrestoi sot të dy shtetasit, pasi dyshon se ata janë pjesë e një trafiku klandestinësh që ka bazë më të gjerë se qyteti i Gjirokastrës. Në bazë të veprimeve hetimore dhe procedurale rezultoi se autorët e kësaj vepre penale, konkretisht dy shtetasit e arrestuar, do të merrnin nga gjithsej 6400 euro.
Identifikohet shqiptari që ndodhej në aeroplanin e aksidentit të djeshëm
ALESANDRIA - Shqiptari i cili vdiq dje pasdite në një aksident ajror në Alesandrino të Italisë është Florent Ergjika. Sipas medias italiane, 30-vjeçari ishte në Itali për muajin e mjaltit dhe ishte i ftuari i Claudio Greco-s, kunati i Alain Elkan, shkrimtar dhe gazetar i njohur në Itali. Edhe ky i fundit vdiq në aksidentin ajror që ndodhi dje pasdite rreth orës 19:30 minuta në Alesandrino. Avioni i vogël ku udhëtonin dy miqtë, njëri shqiptar dhe tjetri italian, u rrëzua dje pasdite në lumin Po në Basinjana, në Alesandrino të Italisë. Përplasja ka qenë fatale për të dy personat, të cilët menjëherë kanë humbur jetën. Florent Ergika së bashku me Claudio Greco-n, 57 vjeç, ishin nisur me avion nga Piovera e Alesandrinos dhe pasi kishin kryer vetëm disa milje fluturim janë rrëzuar në ujërat e lumit Po. Policia po heton për të zbuluar shkaqet që kanë çuar avionin të përplasej.
28 Gusht 2008