Dy javë pezullim sulmuesit të Besës, Fortunat
Në garën për të ngushtuar diferencën me kryesueset e Kategorisë Superiore, Besa duhet të bëjë pa shërbimet e Herbi Fortunat. Sulmuesi nga Haiti është dënuar me dy javë pezullim nga aktiviteti, për shkak të gjesteve fyese dhe provokimeve ndaj kundërshtarit, në sfidën e fundjavës së kaluar, ku verdhezinjtë fituan 2-0 përballë Shkumbinit. "Përveç pezullimit dyjavor, lojtari i Besës gjobitet edhe me 30 mijë lekë të reja", theksonte Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ndeshja në Kavajë është luajtur mes tensionit: tifozeria vendase kishte rezervuar një "mikpritje" të nxehtë për peqinasit, pas sfidës së javës së katërt (më 20 shtator), e cila u shoqërua me ngjarje të dhunshme. Në atë rast, trajneri Daja u shoqërua në komisariatin e policisë për shkak të përleshjes në tunelin e dhomave të zhveshjes, ndërsa sulmuesi Bekim Kuli pësoi çarje në buzë. Por, hakmarrja i ka kushtuar klubit të Besës, që për mosmarrje të masave të mjaftueshme organizative është gjobitur me 100 mijë lekë të reja. Gjobave nuk u kanë shpëtuar as tre lojtarë të Vllaznisë, Suad Lici, Safet Osja dhe Armir Grima. Edhe pse arsyeja e Disiplinorit ka qenë e njëjtë me atë të Fortunat, tre kuqeblutë nuk janë pezulluar, por duhet të paguajnë vetëm nga 30 mijë lekë (të reja) secili. Dënim shembullor është dhënë për lojtarin e Sopotit, Nuredin Sula, i cili për goditje me grushte të trajnerit kundërshtar pezullohet për një vit nga aktiviteti dhe gjobitet me 100 mijë lekë të reja. Në total, duke llogaritur edhe gjobat në kategoritë inferiore dhe te të rinjtë, Disiplina ka "vjelë" 5,1 milionë lekë të vjetra.