Emigrantët përmirësojnë ekonominë, forcohet leku
Kthimi i emigrantëve në atdhe ka përmirësuar ekonominë e vendit. Gjatë javëve të fundit monedha vendase është forcuar kundrejt valutave. Ndërkohë edhe portofoli i depozitave ka pësuar rritje. Dje në agjencitë e këmbimit valutor një dollar u ble me 91.60 lekë dhe u shit me 94.40 lekë, ndërsa një euro u ble me 127.30 lekë dhe u shit me 131.10 lekë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, muajt e ardhshëm euro do të zhvlerësohet sërish. Për ekspertët kjo ecuri do të kushtëzohet edhe nga fakti se Shqipëria është e rrethuar nga vende që kanë euron si monedhë kombëtare, me të cilat kryhet një pjesë e konsiderueshme e tregtisë. Nga forcimi i lekut favorizohen të gjithë ata qytetarë që kanë marrë kredi në valutë. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se rreth 75 për qind e kredive që kanë dhënë bankat janë në monedhë të huaj. Ekspertët e ekonomisë parashikojnë rritje dhe të interesave të depozitave gjatë sezonit të verës. Kjo është periudha ku bankat bëjnë ofertat për rritjen e interesave me qëllim tërheqjen e kursimeve të emigrantëve. Ndërkohë sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, muajt e fundit është rikthyer besimi i publikut, i pasqyruar në rritjen e depozitave në sistemin bankar. Me rritje pasqyrohet edhe kreditimi i ekonomisë, ndërkohë që edhe struktura lekë-valutë në bilancet e bankave ka njohur përmirësim. Goditja që pësoi sistemi në vjeshtën e vitit 2008 mund të konsiderohet e kaluar tashmë. Në vendin tonë, kriza financiare ndërkombëtare fillimisht nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë të rëndësishëm mbi sistemin tonë financiar. Megjithatë, në tremujorin e fundit të vitit 2008, për shkak të efektit psikologjik që shkaktoi ashpërsimi i krizës në tregjet ndërkombëtare, publiku vendas reagoi duke tërhequr një pjesë të depozitave të sektorit bankar. Për pasojë, kushtet e likuiditetit u shtrënguan si dhe u evidentua një ngadalësim i kreditimit nga ana e sektorit bankar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë mori masa të menjëhershme për të normalizuar situatën e krijuar dhe për të rikthyer besimin e publikut tek bankat. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet në treg në forma të ndryshme, për të mundësuar një akses sa më të lehtë nga ana e bankave. Këto veprime dhanë efekt pozitiv drejt uljes së nivelit dhe luhatshmërisë së normave të interesit ndërbankar në fund të vitit.