E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj: “Fitorja e koalicionit të djathtë, për integrimin e Shqipërisë në BE”

Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje një telegram urimi nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare. Në urimin e tij, Haradinaj u shpreh se fitorja e koalicionit të djathtë do të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e mëtejshëm të reformave të nisura në Shqipëri. “Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më lejoni t’ju uroj për fitoren e së djathtës dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. AAK dhe unë personalisht konsiderojmë se fitorja e koalicionit të djathtë do të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e mëtutjeshëm të reformave të nisura në Shqipëri si dhe përgatitjen e vendit për integrimet evropiane”, nënvizon Haradinaj në urimin e tij. Kreu i AAK, uron të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen masive në këto zgjedhje si dhe për një mbarëvajtje të admirueshme gjatë gjithë procesit zgjedhor. “AAK është e bindur se Shqipëria me këtë nivel të zgjedhjeve të lira dhe demokratike ka dëshmuar se është vendi i cili respekton parimet demokratike dhe është e gatshme për t’iu bashkangjitur familjes së madhe të Unionit Evropian. AAK është e bindur se ky proces zgjedhor, i cili ka përshkruar një nivel të lartë të demokracisë do të ndihmojë edhe Republikën e Kosovës për proceset demokratike dhe zgjedhore që e presin përpara. AAK beson se së shpejti edhe në Kosovë do të triumfojë e djathta” shpreh ndër të tjera në telegramin e tij të urimit, drejtuar kryeministrit Berisha, kreu i AAK, Ramush Haradinaj

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›