Dy kosovarë në duel për Tirana Open 2008

Në gjysmëfinalen e parë, të zhvilluar gjatë paradites, përballë njëri-tjetrit u vendosën tenisti nga Prishtina, Behar Kurteshi dhe Hyda Banjska, kosovari që jeton dhe stërvitet në Gjermani.
Banjska, i cili në karrierë ka luajtur edhe në turne si profesionist, fitoi 2-1 me numrin 1 të Kosovës.
Ai e fitoi me vështirësi setin e parë, me rezultatin 6-4, ndërkohë që ka humbur 6-3 në setin e dytë të lojës. Por, pikërisht në momentin kur u mendua se sfida do të zotërohej nga baraspesha, Banjska fitoi bindshëm edhe setin e tretë, me rezultatin 6-1, duke mos i dhënë asnjë shans kundërshtarit.
Gjysmëfinalja tjetër, e zhvilluar dy orë pas mesditës, u diskutua ndërmjet numrit 1 të Shqipërisë, Genci Çakçirit dhe numrit 2 të Kosovës, Granit Bajraliut.
Çakçiri, fitues i këtij turneu në vitin e kaluar, nuk ka mundur të bëjë asgjë përballë forcës së kundërshtarit: ai humbi 6-1 në setin e parë, ndërsa po me shifrat 6-1 arriti të barazonte momentalisht rezultatin.
Seti i tretë, edhe pse ishte mjaft i balancuar, shpalli fitues Bajraliun. Ky i fundit do të luajë sot kundër Banjskas në finalen e “Tirana Open 2008”, në orën 14:00.