E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërbuni kërkon ndëshkim masa për Laçin

Drejtuesit e Klubit Tërbuni të Pukës dhe Bashkia Pukë kanë reaguar ashpër, duke kërkuar marrjen e masave të rrepta disiplinore ndaj drejtuesve të Klubit të futbollit të Laçit një ditë pas incidentit të ndodhur në stadiumin “Smail Xhemali”, ku ndeshja e futbollit mes ekipeve të Tërbunit të Pukës dhe Laçit të Kurbinit ka degjeneruar në grushte e kërcënim me armë.

Ashtu siç kanë deklaruar të pranishmit në stadium dhe nga njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, mësohet se i gjithë sherri është krijuar nga presidenti i Klubit të Laçit, Pashk Laska, i cili ka hyrë në fushë, duke goditur dhe sharë kapitenin e skuadrës kundërshtare dhe më pas duke sharë me fjalë e gjeste banale tifozët e Pukës.

Ndërsa kushëriri i presidentit të Klubit të Laçit, Zef Laska, punonjësi i policisë bashkiake në Laç, ka vazhduar më tej sherrin, duke kërcënuar me armë tribunën VIP, ku ndodhej edhe kryetari i Bashkisë së Pukës.

Kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrustem Struga, thotë se “punonjësi i policisë bashkiake të Laçit është afruar te tribuna VIP dhe ka kërcënuar duke vënë dorën në pistoletë, por pa e nxjerrë dhe më pas ka nisur të ofendojë me fjalët nga më banalet, duke tentuar t’i afrohet tribunës, por më pas është ndalur nga policia”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›