E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani: Lika do të qëndrojë në klub

Menjëherë pas derbit të humbur me Dinamon, që “vulosi” krizën te të kuqtë, Albert Xhani nuk ngurroi të dilte përpara mediave dhe të bënte “mea culpa”.

Si një person që gjithmonë ka ditur të bëjë bujë përpara mediave, presidenti i Partizanit pranoi mëkatet për ecurinë e keqe të skuadrës.

Vendi i fundit është shumë i vështirë për t’u pranuar për klubin që ka shkruar historinë e futbollit shqiptar.

Megjithatë, për Xhanin më e vështirë duket të pranojë largimin nga drejtimi i skuadrës, i kërkuar sistematikisht nga tifozeria.

Në daljen përpara mediave, vetëm pak orë pas rokadës në drejtimin e skuadrës, ai deklaroi: “E kam pranuar dorëheqjen e trajnerit Lika, sepse unë dhe ai kishim mbi supe barrën kryesore për situatën ku ndodhet skuadra.Megjithatë, mos mendoni se Hasani nuk do të jetë më pjesë e Partizanit. Ai do të vazhdojë të punojë në klub dhe shumë shpejt do t’i caktohet një post i ri. Këtu dua të theksoj se mua personalisht, Hasan Likën, Genc Tomorrin, Bejkush Birçen dhe Shpëtim Duron vetëm vdekja na ndan nga Partizani. ‘Kukuvajkat’ le të qajnë sa të duan dhe të shkruajnë kundër nesh”.

Fjalët e presidentit rreth vazhdimësisë së ish-trajnerit në një post si drejtues në klub, vijnë si konfirmim i zërave se Lika do të emërohet drejtor sportiv i të kuqve.

Më tej Xhani vazhdoi të polemizojë rreth arbitrimit, duke deklaruar se “gabimet njerëzore dhe penalltitë që po ndëshkojnë Partizanin po ndodhin shpesh dhe kjo është shqetësuese”.

Rreth potencialit të skuadrës ai shtoi: “Skuadra ka një kontingjent lojtarësh, me të cilët meriton të jetë shumë më lart në klasifikim. Nuk e meritojmë pozicionin ku ndodhemi (vendin e fundit në Kategorinë Superiore)”.

Si problem madhor në skuadër përfliten financat dhe rrogat e palikuiduara prej disa muajsh. Megjithatë, në këtë çështje dhe tek akuzat e bëra të shtunën për Dinamon, për të cilën ka thënë se e fitoi titullin gjatë sezonit të kaluar duke trukuar gjashtë ndeshje, ai nuk preferoi të fliste.

Me Albert Xhanin në krye, Partizani ka fituar vetëm një Kupë të Shqipërisë (në vitin 2004, mbi të cilën është hedhur shumë baltë), por asnjëherë titullin kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›