E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kryeministra përurojnë rrugën e papërfunduar

Në orën 1.30 të drekës, vapa në mbikalimin e Rrëshenit pati arritur kulmin. Njerëzit kishin dalë që herët në mëngjes dhe qenë zënë në një si tip kurthi nga nuk kishin si të dilnin. Katër korsitë kryesore të Autostradës A1, (siç do të quhet nga dje segmenti Rrëshen-Kalimash), qenë bllokuar nga skena e inaugurimit. Hyrja jugore qe zënë nga makinat e mitingashëve që vijonin të vinin. Dalja veriore qe rezervuar për dy kryeministrat. Shkurt, nëse hyje me makinë në autostradën drejt Kosovës, nuk dilje dot pa mbaruar mitingu. Mijëra njerëz qenë mbledhur dje pranë Rrëshenit për mitingun më të rëndësishëm elektoral të së djathtës. Mitingu? Në fakt, vëzhguesit e zgjedhjeve e kishin një dilemë për këtë. Një pyetje e denjë për "Procesin" e Kafkës pati lindur për vëzhguesit e zgjedhjeve, pas aktivitetit të Banjës. Disa prej tyre, mendonin se kishin të bënin me një miting elektoral. Përfaqësuesit e qeverisë në Bordin e Monitorimit të Medias, e kanë përcaktuar si "aktivitet të Kryeministrit". Në Banjë, Kryeministri inauguroi punimet për një hidrocentral që kërkon edhe së paku dy vjet të tjera studime, para se të merret vendimi për ta ndërtuar apo jo. Në Rrëshen, dje u përurua një rrugë që pritet të përfundojë realisht nga muaji nëntor. Gjithsesi, për vëzhguesit, dilema mbetej. Miting apo aktivitet qeverie?! Për t‘i dhënë një përgjigje finale kësaj pyetjeje gajasëse, vëzhguesit erdhën vetë dje në Rrëshen, u poqën nën diell njësoj si mitingashët dhe pas kësaj u bindën: "Po, ky është miting", tha njëri prej tyre.

Dukej si diçka e thjeshtë: Sipas axhendës, ceremonia fillonte më njëmbëdhjetë. Njerëzit filluan të grumbullohen që në nëntë. Në fakt, filloi në orën një e gjysmë. Gjatë asaj kohe, Çiljeta ezauroi të gjithë repertorin e saj me këngë që flisnin për rrugë, makina të parkuara në errësirë, sedilje të ulura e nënkuptime të tjera, por kënga sikur e shtoi sikletin. "Ne të gjithë duhet të votojmë për Kryeministrin më të ndershëm shqiptar", - tha Çiljeta mes dy këngëve.

Tre të katërtat e kabinetit qeveritar qëndruan nën diell pa i hequr xhaketat. Kur në skenë hynë Elita 5, burrat e qeverisë vijuan të qëndrojnë pa lëvizur, por gratë nuk e mbajtën veten dhe filluan të kërcenin. Ndërkohë, për turmën e ngjeshur e mitingashëve të panjohur që zgjatej për gati gjysmë kilometri përgjatë rrugës, nuk kishte ngushëllim. Rrotull qe vështirë të gjeje ndonjë shishe ujë. Kioska më e afërt kërkonte treçerek kilometri ecje më këmbë.

Erë gjeopolitikë

Nacionalizëm dhe gjeopolitikë. Këto qenë dy lajtmotivet e fjalimeve të dy kryeministrave. "Kjo rrugë do të fuqizojë pavarësinë e Kosovës", tha Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan. "Ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për stabilitetin dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Me Shqipërinë kemi edhe projekte të tjera strategjike në fushën e gazit", vijoi ai.

Malet e Oroshit dhe gjithë Dukagjinit oshtinë nga fjalimi në turqisht i Kryeministrit Erdogan.

"Kjo është rruga e të gjithë shqiptarëve, kjo afron shqiptarët me detet e shqiptarëve", - tha Kryeministri Berisha. Kryeministri i konsideroi "shqiptarofobë" ata që i identifikoi si "armiq të rrugës". Në qarqet ndërkombëtare diskutohet nëse rruga ka kryer një bashkim faktik mes Shqipërisë dhe Kosovës apo është thjesht një projekt infrastrukturor.

"Dua t‘i siguroj se shqiptarët udhëhiqen dhe do të udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe bashkëpunimit dhe se ky korridor do t‘u shërbejë jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë popujve të rajonit, maqedonasve, serbëve, boshnjakëve, bullgarëve dhe të gjithë të tjerëve".

Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes se a është një investim i leverdishëm kjo rrugë. "Ajo do ta shlyejë veten brenda gjashtë vjetësh", tha ai.

Rruga

Rruga u hap dje për herë të parë për trafik të kufizuar. Në segmentin Rrëshen-Rreps, nuk qe hedhur ende shtresa finale e asfaltit dhe në shpejtësi prej 60 kilometrash në orë, një makinë e vitit 2008 dridhej si autobusët e Shkodrës. Tabelat shënonin kufizim shpejtësie 60 dhe 40 kilometra në orë. Tuneli verior, u vu në punë me sens të alternuar. Një pjesë e tij ende nuk është përfunduar. Një pjesë e mitingashëve dje menduan ta kalojnë tunelin për kureshtje, por katër orët e pritjes në vapë, e kishin bërë punën e tyre. Brenda pak orësh, njerëzit kapërcyen pak kilometra rrugë të vjetër dhe hynë në superstradën e re Rrëshen-Milot. Me gjithë angazhimin e qeverisë për të sjellë sa më shumë makina të qe e mundur, sërish nuk pati asnjë problem trafiku. Trafiku real, filloi vetëm pasi hyje te rruga e Lezhës. Tani që Autostrada A1 u hap për trafikun, pyetja e vetme është se sa makina do të qarkullojnë çdo ditë në një projekt që mund të shkojë deri në 1 miliard euro, pagesa e së cilës duket se do t‘i rëndojë shqiptarët edhe për shumë dhe shumë vite.

Rruga nëntokësore nuk përdoret gjatë natës

Tuneli, fillon kalimi

me radhë i automjeteve

Që në orët e para të mëngjesit rreth 5 mijë automjete të ardhura nga Kosova, por edhe qindra nga Kukësi, Hasi etj, kanë krijuar një rradhë të gjatë deri në 4 km pasi depërtimi i tunelit bëhet vetëm në një kahje dhe i disiplinuar nga personeli i sigurisë. Gati shumica e të gjithë njerëzve kishin udhëtuar thjesht për të përjetuar të parët çastin e madh të hapjes së rrugës. Nga bisedat me kuksianët fjala që thuhet më shpesh është "lamtumirë Qafë e Malit dhe Fushë-Arrës ku kemi vuajtur gjithë jetën". Tashmë rruga e vjetër, e ndërtuar edhe si strategji joekonomike, si një rrugë ku të mos mund të udhëtonte armiku, mbetet pas në historinë e dhimbshme të mjerimit të tejskajshëm. Më herët, apo më saktë, një ditë më parë për të përshkuar rrugën nga Kukësi në Rrëshen janë dashur plot pesë orë, sot kjo distancë përshkohet në vetëm një orë, madje duke llogaritur ndonjë vonesë në hyrje të tunelit. Ky i fundit me gjatësi 5.6 km përshkohet në 6 minuta ndërsa udhëtimi bëhet në karvane nga 20 deri në 50 automjete të shoqëruara nga dy ekipe të sigurisë së tunelit. Me të kaluar karvani nga veriu, niset karvani tjetër nga jugu e kështu me radhë. Mësohet se në orët e natës nga 24:00 deri në 05:00 blokohet kalimi për shkak se në gelerinë jugore bëhen ende shpërthime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›