Dy masa në Durrës, kontroll Prokurorisë së Tiranës
Trazhgim Sokolaj
Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme fillon kontrollin në Prokuro-rinë e Tiranës. Organi i akuzës në kryeqytet mësohet se do të jetë objekt kontrolli për disa javë.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, pas përfundimit të fazës së kontrolleve në Prokurorinë e Durrësit, inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë “zbar-kuar” në Prokurorinë e Tiranës. Objekti kryesor i kontrollit janë afatet hetimore të dosjeve dhe masat e sigurimit. Burime nga organi i akuzës në kryeqytet, thanë se këtë javë ka nisur kontrolli dhe procedimeve penale në të cilat ka pasur shtyrje të afateve. Ky fenomen po verifikohet nga Prokuroria e Përgjithshme në kuadër të zbulimit dhe ndëshkimit të rasteve të zvarritjes së proceseve penale.
Kontrolli në Durrës
Një muaj më parë Proku-roria e Përgjithshme përfundoi një kontroll të përgjithshëm në Prokurorinë e Durrësit. Inspektimi periodik mësohet se ka gjetur disa shkelje, të cilat janë përfshirë në një raport të hartuar nga grupi i kontrollit. Sipas burimeve të prokurorisë, në përfundim të kontrollit në Prokurorinë e Durrësit është arritur në përfundimin se treguesit e përgjithshëm janë pozitivë, por të paktën dy prokurorë, kanë shkelje në punën e tyre. Për këtë shkak inspektorët kanë propozuar masa të forta disiplinore ndaj këtyre dy prokurorëve, ndërsa ndëshkime më të lehta edhe për dy të tjerë. Masat pritet të merren në shqyrtim në mbledhjen e radhës të Këshillit të Prokurorisë. Këshilli pritet që në mbledhjen e radhës të shqyrtojë edhe rastin e një prokurori të Tiranës të arrestuar pak muaj më parë, i cili u lirua nga gjykata për shkak të mungesës së provave ndaj tij.
Kontrolli në Tiranë
Numri i madh i dosjeve në hetim, si dhe pesha që zë Prokuroria e Tiranës në hierarkinë e organit të akuzës, janë bërë shkak që Prokuroria e Përgjithshme të fillojë kontrollin në këtë institucion menjëherë pas inspektimit në Prokurorinë e Durrësit. Pak kohë më parë, në pranverën e këtij viti, Ministria e Drejtësisë nga ana e saj, përfundoi një kontroll në Prokurorinë e Tiranës për dosjet e viteve 2007 (6-mujori i dytë) dhe 2008. Në përfundim të kontrollit, sipas Ministrisë së Drejtësisë u gjetën shkelje në rreth 350 dosje penale nga 5 mijë të tilla që ishin kontrolluar gjatë inspektimit.
“Diploma”, dosja e falsifikimeve mbërrin në gjykatë
TIRANE – Mbërrin në Gjykatë dosja në ngarkim të dy të arrestuarve gjatë operacionit “Diploma”. Burime zyrtare nga gjykata e kryeqytetit pohuan se pak ditë më parë prokuroria ka dorëzuar në këtë institucion dosjen në ngarkim të dy akuzuarve Franc Borova, Roland Papaproko, të cilët sipas organit të prokurorisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve shkollore” dhe “falsifikim të vulave stampave dhe formularëve”. Kryerja e procedurave të shortit elektronik ka caktuar gjykatësin Altin Abdiu për ta shqyrtuar këtë dosje. Sipas prokurorisë Franc Borova, i cili e ka pasur më parë emrin Kujtim dhe Roland Papaproko, respektivisht 56 dhe 57 vjeç, u prangosën tre muaj më parë gjatë operacionit të koduar “Diploma”. Sipas prokurorisë ata u kapën në flagrancë, gjatë kohës që po prodhonin një vulë me mbishkrimin “Ministria e Mbrojtjes, Dega Mobilizimit” dhe një Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme të përgjithshme “Partizani”. Ndërsa pas kontrollit të ushtruar nëpër banesat e tyre dhe vendin ku ushtronin aktivitetin policia u kapi një sasi të konsiderueshme dokumentesh të falsifikuara, vulash dhe sendesh që shërbenin për prodhimin e tyre. Në momentin e arrestimit atyre iu kapën vula të policisë së kryeqytetit, të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, Ministrisë së Mbrojtjes, institucioneve joqeveritare, si dhe diploma të paplotësuara. fa.ma.