Teksti i “Historisë 9”: Data e Çlirimit të Shqipërisë midis 28 dhe 29 nëntor ‘44, ka debat
Alma Mile
Shqipëria është çliruar në 28, apo 29 nëntor? Fatkeqësisht këtë nuk mund ta mësosh as në shkollë. Ashtu si socialistë e demokratë nuk puqen në këtë pikë, edhe nxënës të shkollave të ndryshme e mësojnë në variante të ndryshme se kur është çliruar vendi, por edhe mund të mos e mësojnë fare. Se ka edhe nga ato tekste historie çështja mbyllet me: “Ende ka debat në këtë çështje”.
Këtë vit mbushen plot 65 vjet nga çlirimi i Shqipërisë. Por megjithëse ka kaluar mjaft kohë qysh atëherë, shqiptarët ende nuk e dinë me siguri se në ç’ditë është çliruar i gjithë vendi. Nëse deri në vitin 1991, nuk bëhej fjalë për të diskutuar ditën e çlirimit, e cila ishte e shënuar me të kuqe në kalendar, 29 nëntori, prej 18 vjetësh, në varësi edhe të ngjyrave politike (blu apo rozë) shqiptarët janë ndarë më dysh. Njëra palë ngul këmbë që Shqipëria është çliruar në 28 nëntor, ndërsa pala tjetër vazhdon të mbrojë 29 nëntorin. Me ndryshimin e pushteteve sa nga socialistët tek demokratët, data 29 është vënë dhe është hequr nga kalendari. Momentalisht me ligj janë festë të dyja ditët dhe secili e feston kur të dojë çlirimin e vendit. Ndërsa kjo luftë mes palësh vazhdon, ata që duhet të jenë tërësisht të kthjellët, të ftohtë, tej çdo militantizmi politik, janë historianët. Janë ata që me anë të fakteve shkencore të na bindin për datën e saktë të çlirimit të vendit. Por duket se edhe ata si gjithë të tjerët, nuk po i dalin dot në krye kësaj pune. Jo vetëm që nuk bien dakord në këtë çështje, jo vetëm që mbrojnë njërën, apo tjetrën tezë, por ka edhe më keq, janë tërësisht të paqartë. Shembullin më tipik na e ofrojnë tekstet shkollore. Është folur shumë për to kohët e fundit. Por tanimë nuk do të flasim më për Historinë e klasës së 12-të, por të ca klasave më poshtë. Bëhet fjalë për Historinë e Popullit Shqiptar për klasën e 9-të të shkollës 9-vjeçare. Ashtu si edhe për të tjera lëndë, edhe për historinë, qarkullojnë disa variante alternative. Dy nga këto variante, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, janë ato të shtëpive botuese “Uegen”, me autorë historianët Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Bedri Kola dhe Xhevair Lleshi dhe teksti i shtëpisë botuese “Albas”, me autorë historianët Menduh Dërguti, Sonila Boçi dhe Ledia Dushku. Në të dy këto tekste ofrohen variante të ndryshme për datën e çlirimit të vendit, që do të thotë se nxënës të shkollave të ndryshme do ta mësojnë ndryshe historinë e Shqipërisë. Në variantin e shtëpisë botuese “Uegen”, autorët (të njëjtët që kanë hartuar dhe historinë e “famshme” të klasës XII) janë të prerë në këtë çështje. Për ta Shqipëria është çliruar në 28 Nëntor të vitit 1944. Në një intervistë të dhënë për “Panorama” mbi çështjen e Historisë XII, njëri prej autorëve, prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, thotë se për këtë çështje ata disponojnë të gjitha materialet e nevojshme arkivore. “Pas goditjeve të morën në Postribë, në Drisht, në Kir e tek Ura e Mesit, trupat gjermane u larguan nga Shqipëria. Çlirimi i Shkodrës më 28 nëntor 1944 shënonte çlirimin e plotë të së gjithë vendit”, shkruhet në Historinë 9 të “Uegen”. Tek varianti i “Albas”, dita e çlirimit të vendit mbetet evazive. Duket se autorët e librit nuk kanë dashur t’ia prishin qejfin as atyre që mbrojnë si ditë çlirimi 28 nëntorin dhe as atyre që mbrojnë 29 nëntorin. “Pas çlirimit të Kukësit, Pukës dhe Lezhës, qyteti i fundit që u çlirua ishte Shkodra për të cilën ende ka një debat mes historianëve, nëse është çliruar më 28 apo 29 nëntor 1944”, shkruhet në variantin e “Albas”. Që do të thotë se nxënësit që do të mësojnë me këtë libër nuk do ta mësojnë dot se kur është çliruar vendi. Dhe jo vetëm kaq. Po të krahasosh trajtesat për çlirimin e vendit të këtyre dy librave, ka edhe mospërputhje të tjera. Tek varianti i “Uegen”-it thuhet se për Tiranën u luftuan 19 ditë rresht dhe dhanë jetën 127 partizanë, ndërsa sipas tekstit të “Albas”-it, për Tiranën u luftua 18 ditë dhe dhanë jetën 197 partizanë. Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë diferencë të vogël. Po sa partizanë janë vrarë gjatë çlirimit të kryeqytetit?! As kjo nuk është e qartë. Kur nisi debati për trajtesat historike në tekstet shkollore pati dhe nga ata që e quajtën “luftë monopolesh”, apo kundër alternativave. Në demokraci, alternativa është themelore, por jo kaosi.
Çlirimi i Shqipërisë, sipas botimit të “Uegen”
Vendimtare në luftën për çlirimin e Tiranës ishte beteja në Mushqeta kundër një autokolone gjermane që vinte nga Elbasani. Në Tiranë u luftua për 19 ditë rresht, ku partizanët patën mbështetjen e popullsisë së Tiranës. Gjatë luftimeve, sipas burimeve, u vranë mbi 2 mijë armiq dhe u kapën shumë armatime. Në këto luftime dhanë jetën 127 partizanë. Trupat gjermane që dolën nga rrethimi morën goditje në rrugët Tiranë-Milot, gjatë lëvizjes në drejtim të Shkodrës. Në luftimet për çlirimin e Tiranës dhe pas tyre, forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare bënë masakra të vërteta. Në emër të luftës kundër reaksionit u asgjësuan intelektualë, ish-oficerë e njerëz të ndershëm, vranë rreth 60 vetë dhe arrestuan 400 të tjerë. Ndërkohë, Tirana priste qeverinë e përkohshme nga Berati, më 28 nëntor 1944.
Çlirimi i Tiranës, më 17 nëntor 1944, i hapi rrugën çlirimit të plotë të Shqipërisë. Më 18 nëntor u çlirua Kukësi dhe më 20 nëntor Lezha. Pas goditjeve të morën në Postribë, në Drisht, në Kir e tek Ura e Mesit, trupa Gjermane u larguan nga Shqipëria. Çlirimi i Shkodrës më 28 nëntor 1944 shënonte çlirimin e plotë të së gjithë vendit.
Çlirimi i Shqipërisë, sipas botimit të “Albas”
Çlirimi i Tiranës ishte një detyrë e rëndësishme e ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lufta për çlirimin e Tiranës u zhvillua në dy faza: faza e parë 29 tetori – 11 nëntor 1944, në të cilën luftimet u zhvilluan jashtë qytetit. Faza e dytë, 11-17 nëntor 1944, ku luftimet u zhvilluan rrugë më rrugë dhe ku ushtria partizane dhe populli i kryeqytetit ngriti barrikada dhe bëri sakrifica të shumta. Gjatë 18 ditë luftimesh për çlirimin e Tiranës u zhvilluan disa beteja, një nga më vendimtaret ishte ajo e Qafës së Mushqetas. Aty forcat partizane penguan repartet gjermane që vinin nga Elbasani për t’u ardhur në ndihmë reparteve të rrethuara në qytet. Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës ranë heroikisht duke luftuar 197 partizanë. Pas çlirimit të Tiranës, forcat partizane filluan arrestimet dhe pushkatimet pa gjyq, jo vetëm të bashkëpunëtorëve të pushtuesve, por dhe ndaj atyre që i konsideronin kundërshtarë politikë. Pas çlirimit të Tiranës, Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, iu dha urdhër të çlironte gjithë vendin. Pas çlirimit të Kukësit, Pukës dhe Lezhës, qyteti i fundit që u çlirua ishte Shkodra për të cilën ende ka një debat mes historianëve, nëse është çliruar më 28 apo 29 nëntor 1944.