E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, skandali 4 milionë USD, “pa autor”

 

POGRADEC – Gjykata ndërpret hetimet për çështjen e abuzimit me tenderin 4 milionë dollarë në Bashkinë e Pogradecit. Të premten, gjyqtari Leradin Lila (ish-kryetar i Gjykatës Pogradec) vendosi të pranoje kërkesën kundër zgjatjes së afateve të hetimit ndaj tre zyrtareve të Bashkisë Erion Vesho, nënkryetar i Bashkisë dhe njëkohësisht Drejtor Juridik në këtë institucion, Paskalin Ziko, Drejtori i Urbanistikës dhe Arjana Brahollit, Drejtoreshës Ekonomike të Bashkisë Pogradec. Ata janë akuzuar për shpërdorim detyre. Tre zyrtarët e lartë të Bashkisë Pogradec, po hetoheshin për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, në vlerën rreth 4 milionë dollarë që lidhet me tenderat e pastrimit të qytetit. Kjo çështje u bë publike disa herë në media. Dosja është hetuar nga prokurori Olsi Dado prej disa muajsh, ndërkohë që procedimi ishte në fazën e fundit. Në ngarkim të këtyre tre zyrtarëve të lartë, gjyqtari Klodian Rado ka dhënë masën e rrallë të sigurimit: “Pezullim i ushtrimit të detyrës në mënyrë të përkohshme dhe “Ndalim për qëndrimin në ambientet e institucionit Bashkia Pogradec”, moskthim atje pa autorizimin e kësaj Gjykate; “Detyrimin për të qëndruar brenda territorit të njësisë administrative të Bashkisë të Pogradec”. Sipas burimeve të sigurta nga Prokuroria e rrethit Pogradec, muajt e fundit, për shkak se prokurori Olsi Dado gjendet i komanduar pranë Prokurorisë së rrethit Tiranë, kjo çështje i kaloi prokurorit që drejton edhe grupin Task Force në Prokurorinë e Korçës, Elsion Sadiku. Ky i fundit vendosi zgjatjen e afateve për hetimin e kësaj çështjeje, me argumentimin thelbësor, se ai duhet të njihej me aktet e kësaj dosje. Ky argument i prokurorit është konsideruar si jonormal nga të akuzuarit, kundër kësaj zgjatjeje të afateve të hetimit, u ankuan të tre zyrtarët e lartë të Bashkisë. Ankimi u gjykua nga ish-kryetari i Gjykatës së Rrethit Pogradec, Leradin Lila. Argumenti i zgjatjes së afateve të hetimit për shkak të pushimeve vjetore, është konsideruar i paarsyeshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vendimin e saj të së premtes, e cila vendosi të pranojë kërkesën e tre zyrtarëve për të penguar zgjatjen e afateve hetimore. Moszgjatja e hetimeve për këtë çështje, nxjerr jashtë loje Prokurorinë. Ndërprerja e procedimit të Prokurorisë nga gjykata pengon komunikimin e akuzës për të tre zyrtarët.                                                                                 re.kro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›