E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët e UET krijojnë “Rrethin e Akademikëve të Rinj”

 

Renato Kalemi
Në vitin 1989, Robin Uilliams, aktori i jashtëzakonshëm hollivudian, tronditi Akademinë e Oskarëve me “Rrethin e poetëve të vdekur”. Filmin që rrëfen historinë e profesorit të letërsisë, Xhon Kiting dhe shtatë studentëve të tij, të cilëve u mëson se si ta jetojnë jetën nëpërmjet poezisë dhe njohjes me Carpe Diem-in (latinisht. “Kape çastin”).
Një lloj sekti poetësh të rinj, me prirje të forta letrare, që diskutojnë dhe debatojnë, përplasen dhe japin idetë e tyre mbi jetën, dhimbjen a dashurinë, të konceptuara në vargje tronditëse poezish. Por, njëzet vjet më vonë, këtë mjedis intelektualësh mund ta krahasojmë lehtësisht me një rreth akademikësh të rinj në Shqipërinë e sotme, që mbetet në kërkim të vazhdueshëm të njerëzve ambiciozë, me ide e mendime të reja, që hapin debate e diskutojnë mbi tema, të cilat janë ende një shqetësim për shoqërinë tonë. Madje, vija paralele mund të heqim edhe me “Rrethin e Vjenës”, të krijuar nga babai i psikanalizës Frojd, apo “Rrethin e Blambsbery” në Londër, të cilat shumë shpejt u bënë qendra të fuqishme intelektuale që ndikuan në shoqëritë vjeneze dhe londineze të atyre viteve.
Një mision të ngjashëm, por gjithsesi shumë herë më modest, e kanë marrë përsipër dhe pesë akademikë të rinj shqiptarë, të shkolluar të gjithë jashtë vendit, por që janë rikthyer për të kontribuar me eksperiencën e fituar në shkollat më të mira perëndimore. Prej pak kohësh ata njihen si “Rrethi i Akademikëve të Rinj”, të cilën u grupuan fare rastësisht në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ku edhe japin mësim prej pak kohësh, disa nga lëndët më interesante për arsimin e lartë. “Pretendimet e këtij grupi janë më modeste, por sidoqoftë ata janë në nisje të një rruge akademike dhe intelektuale tejet kurioze dhe pasionante”, sqaron administratori i UET-së, Henri Çili. Kjo është një rrugë e pashkelur më parë dhe të pestë pedagogët e rinj do të përpiqen që këtë organizim informal ta shndërrojnë në një kalk të kryeqytetit shqiptar. Në kokat e tyre nuk kanë flokë të thinjur, siç mund të mendojë ndokush nëse termi “akademik” e ka ngatërruar me intelektualët e shquar të Akademisë së Shkencave. Ata janë tek të tridhjetat, me interesa të përbashkëta akademike e intelektuale, por mbi të gjitha me dëshirën për të folur dhe debatuar sipas një mënyre të re, veçanërisht për universitetet. Aq më tepër, në një kohë kur arsimi i lartë shqiptar ndodhet në udhëkryqin mes shtetit dhe privatit, ndërsa po përjeton çaste konfuzioni lidhur me rregullimin e tregut, akreditimet, licencimet dhe diplomat që marrin në fund studentët.
Më shumë se për çdo gjë tjetër, arsimi ynë i lartë është në nevojë urgjente për ide dhe mendim ndryshe; për një mjedis të ri akademik, i cili të përbëhet nga njerëz me profile të ndryshme që takohen dhe debatojnë hapur për tema që u interesojnë atyre, por edhe mjedisit publik shqiptar. Në njëfarë mënyre, kjo ka qenë shtysa që pesë pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës vendosën të mblidhen në një rreth të veçantë akademik. Gjithçka do të niste krejt rastësisht, pas një sërë bisedash në mjedise të ndryshme, në konferenca, tryeza apo auditorë, derisa ata e panë të udhës të “organizohen” më shumë, fillimisht duke krijuar “Rrethin e akademikëve të rinj”, e më pas ta përhapin këtë nismë të tyren në ngjarje akademike dhe intelektuale. “Kjo e lehtëson debatin akademik dhe, për më tepër lidh njerëzit dhe i bën ata të prezantojnë dhe bëjnë më të dobishme idetë e tyre”, sqaron Çili. Ndërkohë, në tre vjet nga themelimi i tij, UET-ja është shndërruar në një organizëm të madh akademik ku punojnë më shumë se 70 pedagogë të brendshëm dhe në rekrutimin e tyre, si një kusht bazë kanë qenë studimet jashtë, në shkollat perëndimore.
Por, në thelbin e tij, çfarë përmban ky “Rreth i Akademikëve të Rinj”? Ai është ideuar si një organizim informal, një rrjet intelektualësh të rinj, të cilët mblidhen herë pas here për të debatuar, sjellin ide për aktivitete, forume, studime dhe takime të ndryshme. Është një organizim që e bën më të dukshëm debatin akademik dhe publik, për çështje të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe që përputhen me interesat e tyre akademike dhe intelektuale. Këto ide të reja, ky rreth akademikësh, do t’i testojë në auditorë, por dhe në media dhe hapësirën publike. Produkti i parë i pesëshes akademike të UET-së është libri “Akademikë të rinj, ide të reja”: Një botim i përbashkët, në të cilin përfshihen pjesë apo versione të punimeve të tyre shkencore të kryera gjatë studimeve në shkollat perëndimore dhe më pas. “E rëndësishme është të krijohet një energji e re dhe një mjedis akademik ku punohet, studiohet, flitet e debatohet sipas një mënyre të re”, plotëson Çili. Ky rreth është i hapur dhe në të ardhmen, pjesë e tij mund të bëhen pedagogë të tjerë të UET-së ose jo.
“Sistemi ynë akademik ka nevojë për njerëz të kualifikuar që të ndajnë eksperiencat e tyre të mëparshme të fituara si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj, dhe të nxisin kulturën e debatit, ku secili kontribuon me idetë e veta”, ndërhyn Evis Gjebrea, pedagoge në UET dhe pjesë e grupimit të akademikëve të rinj. Me një eksperiencë të pasur në shkollat perëndimore në fushën e ekonomisë, ku përfshihen Bukureshti, Milano dhe Uashingtoni, Evisi zgjodhi të bëhej pjesë e UET-së pikërisht për të qenë pjesë e sfidave të reja që ky universitet po i ofron. E diplomuar në Akademinë e Studimeve Ekonomike në Bukuresht, për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare, e më pas Master të Nivelit të Dytë për Banka dhe Financa për Zhvillim, në Universitetin e Bocconit në Milano të Italisë; për të vijuar me një bursë studimi nga USAID për studime të avancuara pas universitare për Politikat dhe Administrimin Publik në Universitetin “George Uashington” në SHBA. Kjo ka qenë gjithnjë fusha e preferuar e saj, ndërsa eksperienca në UET si pedagoge mendon se do ta ndihmojë të thellojë studimet e saj, edhe si pjesë e rrethit të pesë akademikëve të rinj.
Në pikësynimet e këtij grupi intelektualësh, Genti Beqiri, përfshin dëshirën për të qenë një zë i ri në sektorin akademik shqiptar, ku secili të japë ide dhe mendime në profilin dhe ekspertizën e tij. Prej pak ditësh në rolin e pedagogut në Departamentin e Ekonomisë në UET, Genti u kthye nga studimet jashtë vendit me dëshirën për të sjellë sado pak grimca të eksperiencës së tij. Sipas tij, UET-i është një universitet i ri dhe duke qenë i tillë, përputhet plotësisht me mentalitetin e atyre që duan një sistem më të zhdërvjellët, më fleksibël e përparimtar. Ndërkaq, këmbëngul më shumë në bërjen e gjërave në praktikë, sesa në teori, edhe për faktin se ka pasur më shumë eksperiencë pune, por jo edhe aq akademike. “Kjo më shtyn më shumë të jap atë çfarë veprimi në ekonomi më ka dhënë këto kohë”, thotë ai. Genti e ka ende shumë të freskët eksperiencën në Uashington kur studionte në Universitetin “George Washington” apo ndiqte leksionet dhe seminaret në Universitetin e Georgetown-it dhe në shkollën e biznesit në Harvard. “Pra, universiteti duhet të jetë më praktik dhe më pranë studentëve, kërkesës së ekonomisë dhe kohës”, shton Genti. Këto pikëpamje të tijat për përmirësimin e arsimit të lartë shqiptar pret t’i shpalosë dhe diskutojë në rrethin e intelektualëve të rinj, me synimin për të krijuar një rrjedhë të mendimit akademik në vend.
Një i rikthyer në Shqipëri nga grupi i akademikëve të rinj është edhe Klejd Këlliçi, prej disa muajsh pedagog i brendshëm në fushën e shkencave politike në UET. Ashtu si Genti, edhe Klejdi vlerëson ambientin dinamik të UET-së, duke nënvizuar se ai qëllimisht inkurajon të rinj që angazhohen në ambientin akademik të jenë aktiv dhe të aplikojnë apo zgjerojnë njohuritë që kanë marrë përgjatë formimit të tyre universitar. “Elementi tjetër interesant është vetë origjina e formimit të kolegëve, të cilët vijnë nga studime të kryera në vende të ndryshme të Evropës apo nga SHBA, gjë që krijon premisat e një debati nxitës mes shkollave të ndryshme të mendimit”, vë në dukje ai, duke hyrë drejt e në temën e zhvillimit të mendimit ndryshe mes akademikëve të rinj. Klejdi e njeh mirë fushën e arsimit të lartë duke qenë aktiv prej katër vjetësh në të. Ka mbaruar studimet e larta dhe masterin në Universitetin e Torinos dhe atë Katolik të Milanos në Itali, ndërsa në vitin 2005 vendosi të kthehej në Shqipëri për t’u integruar thuajse aksidentalisht në procesin e mësimdhënies, por që më pas iu kthye në punën e tij të përditshme.
Të njëjtën përshtypje për UET-në përftoi edhe Erjona Canaj, kur vendosi të kthehej në vend pas studimeve të larta në Itali. Mundësitë për ndërtimin e karrierës në drejtimin akademik në fushën ku kishte marrë eksperiencën, e bënë që të afrohej me universitetin. Shtuar këtu edhe kërkesën individuale që ajo shpresonte të përmbushte për të ndërtuar një profil kërkimor shkencor me fokus në problematikat aktuale të Shqipërisë, në kuadër të proceseve integruese në përgjithësi dhe të drejtës evropiane në veçanti. “Ky institucion ofron mundësi të mëdha për rritje dhe kualifikim të mëtejshëm akademik, por sidomos në fushën e kërkimit shkencor”, thotë ajo. Erjona u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin “La Sapienza” të Romës, por ndërkaq zotëron një master në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin “Lumsa” në Romë, në të drejtën familjare dhe mbrojtjen e të miturve. Ndërsa, aktualisht po përfundon doktoraturën në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare dhe të BE pranë Fakultetit të Drejtësisë, në “La Sapienza” të Romës.
Në vitin e dytë të eksperiencës me UET-në është edhe Gentian Elezi, pedagog në lëndët e shkencave politike si dhe ato që kanë të bëjnë me Politikën Evropiane. Të dyja këto fusha ai i cilëson si elemente që i kanë munguar botës akademike shqiptare, të cilat po bëhen gjithmonë e më interesante, “sidomos duke pasur parasysh zhvillimet dhe proceset nëpër të cilat po kalon Shqipëria”. Gentiani është diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Milanos dhe më pas ka kryer specializimin master për Politikë Europiane në Angli. “Ajo që mundohemi të bëjmë ne si pedagogë të rinj lidhet kryesisht me studimet dhe kërkimet në këtë degë si dhe promovimin e debatit publik mbi çështjet më të ndjeshme, qoftë për botën akademike, por edhe për publikun e gjerë”, nënvizon ai. Çka me fjalë të tjera përbëjnë edhe thelbin e misionit të “Rrethit të Akademikëve të Rinj”, të cilët i kanë vënë vetes detyrën e rëndësishme që të jenë si hedhësit e ideve dhe mendimeve për botën e re akademike, ashtu edhe debatuesit dhe diskutuesit e atyre temave të rëndësishme për publikun shqiptar dhe rrethin e ngushtë intelektual. Në këtë mënyrë ata do të arrijnë të krijojnë, ndoshta, “Rrethin e Tiranës”, një grupim shumë herë më modest se ai i krijuar nga Zigmund Frojdi 100 vjet më parë, por që do të mbeten si nismëtarët e një rryme që pritet të nxisë diskutimin e mendimit ndryshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›