Dy në pranga, do çonin drogë në Kosovë
KUKËSIT Policia e Kukësit arrestoi në orët e para të mëngjesit të së enjtes dy persona teksa transportonin me automjetin e tyre 21 kg kanabis sativa. Kujtim Xhebexhia, 52-vjeç, dhe Fitim Dauti, 29-vjeç, u ndaluan nga policia ndërsa udhëtonin me mjetin e tyre në afërsi të urës së Drinit të Bardhë, e cila lidh Kukësin me rrethin e Hasit. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tyre, në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 21 kg kanabis sativa, e fshehur në dy thasë. Uniformat blu të Kukësit bëjnë me dije se ndalimi i shtetasve u bë pas verifikimit se lënda që ata transportonin nga Tirana ishte e llojit kanabis sativa, me destinacion Kosovën. Grupi hetimor ka nisur punën për verifikimin nëse këta shtetas janë pjesëtarë të një grupi të organizuar.